E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inferioritet monumental!

ARBEN BLLACI

Fare rastësisht, meqë autori nuk ishte nga zotërinjtë e njohur të ekraneve, e nisa si me përtesë, po më në fund më erdhi keq që mbaroi, një shkrim të z. Gjekë Gjonlekaj, me sa duket, mik i afërt i Kadaresë. Tregonte se në një bisedë telefonike me shkrimtarin, e ka pyetur:
- Kur do ta fitosh çmimin Nobel?
- Kur tiu mbushet mendja shqiptarëve! ishte përgjigjja kadareane.
Një përgjigje që përcjell dhimbje, por që tallazit edhe tallje sa të duash.

* * *
Në një shkretinë ku kryelajmet shkruhen, darkë e mëngjes, vetëm me fytin e çeliktë të Kryeministrit, Twitter-in e brishtë të shefit të opozitës dhe me plumb e thikë, nga adoleshentë, që nuk i kalojnë njëzet e tre vitet (moshë e heronjve në fakt), përdhëmbja e hamorigëve shitet si ndeshje elefantësh. Scoop që vazhdon të përflitet ende, ishte se gazetarin M.Mema e paskan kthyer në kufirin grek, si njeri me rrezikshmërinë e mitologjikëve që nxjerrin flakë nga goja dhe tym nga hundët, kundër Greqisë. Sdo mend që kjo e pabërë provokoi tërbimin e gazetarëve, tollovinë e përplasën deri te muret e Ministrisë së Jashtme. Shefit të diplomacisë shqiptare, iu bërtit fort dhe egër se vallaha, më në fund ka ardhur koha, që atdheu ynë të ngrihet në nivelin e dinjitetit të të parëve dhe se duhet flakur si një kuti prezervativi e boshatisur, kompleksi i inferioritetit, që demek paska kapluar Tiranën zyrtare!
Me një vështrim që anashkalon pak autoshtrëngimin që ndien për këtë lloj diskutimi, kushdo që shkruan nëpër gazeta, më duket sikur ajo që precipiton nga gjithë kjo zhurmë, është frika e gazetarëve se mos pësojnë edhe vetë, atë që pësoi gazetari Marin. Dhe se, mos o Zot, u ndodh në qofshin në shoqëri femrash sidomos. Kjo inatosje e aristokracisë mediatike nuk është rasti i parë që mbaj mend unë. Diku në vitin 96, media e atëhershme u ngrit si një grusht i vetëm dhe çnuk tha kundër Ambasadës Italiane, sepse gazetarit të një gazete që spo e përmend, i qe refuzuar viza nga kjo ambasadë. Dhe tërë ai murrlan gazetaresk, për një rast të vetëm, u duk aq cinik dhe aq i padrejtë, përballë dergjjes masive të atëhershme të shqiptarëve nëpër dyer ambasadash, nga ku, në shumicën e rasteve, ata përziheshin jo një e dy, po në turmë, me shkelma bythëve. Jo vetëm pa viza, po edhe me një barrë qesëndie ndërkombëtare. Ndërsa media priste vetëm ndonjë rast kur jo qeni kafshon njeriun, po anasjelltas, për të kthyer sytë nga ajo gjendje mizerabël mu në zemër të Tiranës. Kaloi sidoqoftë. Por akoma çdo shqiptar, bashkë me vendimin për të udhëtuar diku, për qejf a për hall, merr në sy edhe poshtërimin që do ti bëhet nëpër kufij. I është bërë pjesë e fytyrës dhe e bagazheve të veta kjo gjë. Jemi popull i bukur, i prerë për krushk e për turist, por përgjegjësia për gjendjen ibret të namuzit tonë ndërkombëtar, dihet ku është;
Te politika!
Por pikërisht këtë politikë, diamantet e kurorës së mendimit civil, analistët më në zë, e përshkruajnë me fjalë aq të zgjedhura, i këndojnë në re minor aq mallëngjyeshëm, sa të zgjojnë në shpirt një përdëllim dashurie dhe vetëmohimi për kryeministra, shefa opozitash, parlamentesh e soj e sorollop institucionesh, të gjitha shkëlqimtare nga pavarësia. Skrivanitë e atyre që gatuajnë politikë dhe fate tonat, përshkruhen si të mbushura me mori veglash e takëmesh të imëta e stërdelikate; peshoreza, epruvetëza, mikroskoptha, makinëza llogaritëse, prefëse që mezi i kap syri, tejëqyra, ipadthe e një perëndi e di çtjetër, me të cilat ata bëjnë, domethënë, politikën. Shkruesit, duke u tretur në panagjirizma, rropaten të na i paraqitin këto tryeza, si ambiente kalkulimesh të NASA-s, si tavolina ku qëndiset filigrani i argjendtë i lojës politike, e hollë, paqe fund e krye, ku e ku më paqësore edhe se ajo e Vatikanit.
Po realitetin e dinë të gjithë: tavolinat e palëve të politikës sonë ngjajnë shumë me banakë kasapësh, që pajisje kanë zigje llogarish të pista dhe vegla pune, hanxharë e cita mesjetare, për të nxjerrë sytë e njeri-tjetrit, sytë tanë në përfundim. Tentativa për ta paraqitur rozë dhe lojë, si kudo tjetër, edhe politikëbërjen shqiptare, është një krim i qëruar. Protestat me bukë në trastë duhen bërë çdo ditë përballë mureve dhe armëve, edhe për të refuzuarin Marin. Por sidomos në dobi të të gjithë listës emërore të shqiptarëve, që ndihen në raport me botën, si jevgu në një dasmë biondësh. Këtë duhet të bëjnë gazetarët më parë se askush tjetër. Ata kanë në dorë shtypin dhe ekranet, që shumicën e herëve i përdorin si ambiente luksoze për të trukuar e për ta bërë birinxhi dajë, cilindo derr që sot ka e nesër mund të ketë, çelësa, qoftë edhe kashte, në pushtet. Vënia e ulërimës, vetëm kur zjarri vjen te bytha jote, në sy të opinionit, të shndërron në priftin karagjoz që tregon rrëfenja e njohur.
Insistimi i pashtershëm që qeveria të bëjë namin për erzin e nëpërkëmbur të shtypit, në një vështrim të cekët fare, vjen e bëhet i pakuptimtë. Dhe akuza kompleks inferioriteti duket sikur vjen nga fundi i dheut, ku ilirët e tretur, vazhdojnë ta dinë Iliri të lavdishme Shqipërinë që gëzojmë ne sot. Sepse inferioriteti ynë nuk është kompleks, por një e vërtetë monumentale. Dhe se për këtë shkak, qeveria shqiptare smund të bëjë qoftë edhe një gëk më shumë, sesa të thërrasë një nëpunës të nivelit të dytë a të tretë të Ambasadës Greke, apo të çdo ambasade tjetër. Dhe me një: Ju lutemi, na sqaroni pak si vajti kjo punë kështu!, ta quajë të mbyllur, me plot dinjitet madje, çështjen që, mu për dreq, arriti të marrë dhenë e ta mësojë i madh e i vogël.
Kjo gjendje inferiore, kjo gjendje në gjunjë e atdheut tonë, nuk gëzon askënd. Të gjithë e kuptojmë se, si shumë plagë të tjera që na qelben në brinjë, edhe ky inferioritet poshtërues ka shkaqe të djeshme e të sotshme, që varen e nuk varen nga ne, që herë harrohen e herë na dalin mu në turi, si mur pasqyre. Tipik është rasti i tanishëm që ne, duke u lëpirë nga lezeti, e quajmë integrim të Shqipërisë. Dhe ndryshe nga tërë rajoni ynë, për ne integrimi është punë që spret, se është edhe karta e vetme politike që siguron pushtetin. Sepse politika jonë është hyzmeqare e përulur ndaj dashurisë prushëruese të shqiptarëve për Europën dhe SHBA deee. Ajo që në të vërtetë është safi, shpresa e fundit për tia mbathur nga ky vend në mënyrë të ligjshme, shitet si tendencë properëndimore e popullit tonë. Të vërtetë këtë tendencë e kanë vetëm ata që si atdhe njohin metrat katrorë të zyrave dhe rezidencave të tyre stërluksoze, që nuk u mjaftojnë për të hedhur milionat e vëna kriminalisht.
Pavarësisht si e qysh, rruga për në Europë kalon për fat të keq nga fqinjët. Dhe janë fqinjë që kanë në brez çelësin; quhet veto ai çelës. Efektin e ndonjë kokëngritjeje tonën e kemi parë me fshesat e famshme, e ca me parë akoma, kush nuk e pa, koston e lartë të pordhës sovrane të Berishës president, me kryepeshkopin Janullatos në vitet 94-96. Dhe ndaj nis presioni, dhe ndaj vijojnë lëshimet. Sepse dora që nuk kafshohet dot, puthet. Dhe ne jemi pa dhëmbë, pa takat. Le të thotë sa të dojë Presidenti Nishani se prioritet i presidencës së tij do të jetë Kosova(!). Në një Shqipëri lesh e li, këto janë karshillëqe bajate që nuk prodhojnë dramë as sa një grabitje me kobure lodër, se njeriu ku ke vajtur të vjedhësh është usta, sia bën syri tërr të ta marrë atë kobure nga dora dhe ta fusë në
Në kushtet e kësaj pafuqie të bartur nga historia, po edhe të selitur nga miopia politike, qeverisjet fillojnë pazaret; japin kokrrën e ullirit, për të fituar barrën e vajit. Të tilla lëshime, të paracaktuara në dëm të interesave tona, janë të dukshme e të njohura për të gjithë. Si rregull, pazaret e prijësve si tanët, me sedrën dhe trupin e atdheut, mund të jenë manovra të mirëfillta për dobinë e pushtetit të tyre. Por ja që ka edhe raste, ka një

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›