Kadare midis Dimrit të madh dhe Pashallarëve të kuq
Nga Luan Kurti
Ka përpjekje të mëhershme për ta paraqitur shkrimtarin Ismail Kadare si disident gjatë regjimit komunist. Kjo bëhet në mënyrë periodike dhe me zell të madh nga disa të përditshme. Një rrëfim i një ish sekretari të Enver Hoxhës, për poemën Pashallarët e kuq, reaksioni i diktatorit i cili ishte për ta rrasur në burg Kadarenë, merret si e vërteta autentike.. Nëse e kaluara e tij shihet si pengesë serioze për tu nominuar si nobelist, të tilla marifete, artifice për të bindur jurinë ndërkombëtare do gjenin njëfarë mirëkuptimi, përndryshe do mbetej në suazën e një veprimi apo sjellje aspak korrekte dhe modernizuese. Vetëm pak javë më parë qemë dëshmitarë okularë, apo përjetuam një tjetër betejë të autorit me të njëjtin stil, me të njëjtin kolorit, me të njëjtin turravrap. Edhe pse shqiptarët shquhen për memorizim të dobët dhe mungesë analize, ja dalin hera herës të kujtojnë ndonjë detaj dhe të mbajnë gjallë kureshtjen
Tablosë së zymtë të kësaj vere të nxehtë e të thatë, me papunësi, korrupsion, krizë, kriminalitet, iu shtua ashtu si krejt rastësisht edhe një tjetër çështje, apo qershia mbi tortë, debati me të venë e diktatorit komunist, Nexhmije Hoxhën, lidhur me dorëshkrimin e Dimrit të vetmisë së madhe. Pretendimet e palëve kanë qenë të ndryshme. Shkrimtari akuzoi zonjën Hoxha për përvetësim të padrejtë të pronës së tij intelektuale dhe kërkoi rikthimin e saj, kurse subjekti në fjalë, e akuzuara, mbrojti versionin e saj sipas të cilit krijuesi i veprës ia ka dhuruar me dëshirë për ta pasur nën mbrojtje. Autori në listën e arsyeve shtoi, se në atë vepër kishte pasur edhe ca shënime të cilat qenë shumë të vlefshme, lëndë për një tjetër roman, kurse mosarsyes së zonjës Hoxha i konvenon me gjasë, plotësimi i një teke, një kapriçioje, apo shprehjes së një hakmarrjeje të mundshme lidhur me një miqësi të prishur (!!) Përtej gjithë hamendësimeve, të vërtetën e dinë vetëm protagonistët dhe në mënyrën më të përkorë dhe qytetare duhej ta kishin gjetur zgjidhjen me kohë, me qëllim që të mos merrnin kohën dhe vëmendjen e mediave dhe sidomos të publikut të lodhur nga barra e halleve dhe problemeve të përditshmërisë, lidhur me një çështje kaq private. Por fatmirësisht më në fund lëmshi duket sikur po zgjidhet. Vepra tani ndodhet në arkivat e shtetit dhe pritet të shprehet drejtësia. Kam përshtypjen se çështja nuk do të kishte marrë këto përmasa sikur mos të bëhej fjalë për një njeri kaq të rëndësishëm të letrave shqipe dhe për një vepër që disa e quajnë epike, një kulm të papërsëritshëm artistik
Pa vënë në dyshim gjeninë krijuese, universin letrar Kadare, më duhet të bëj pohimin tim (jo domosdoshmërisht më kompetenti) se kur e kam lexuar romanin në fjalë në moshë të re, shija e vetme që më ka lënë, ka qenë gjenia e Enver Hoxhës përballë armiqve imperialistorevizionist, pa asnjë lloj disidence. Të kuptohemi, kurrë nuk e kam fajësuar dhe nuk e fajësoj autorin për këtë mungesë, pasi kjo është çështje force karakteri, vullneti, bindjesh apo rrethanash. Madje në këndvështrimin tim, pikërisht pse qe i tillë arriti deri në ditët tona jo vetëm intelektualisht, por edhe fizikisht.
Sot pavarësisht nga thelbi, përmbajtja e veprës, ai përbën një vlerë të patjetërsueshme, një pikë referimi për kombin tonë në përballjen me botën e qytetëruar, me kulturat dominante asimiluese. Dhe ne si komb duhet ta nderojmë dhe mos ta harrojmë këtë për asnjë çast. Por është e pafalshme kur gjërat shkojnë deri në tepri. Kjo histori gradualisht u shndërrua në lojë kungulleshkash, duke hapur mjaft polemika shterp. Protagonizmit të autorit natyrisht nuk i shkon as fare ai i të vesë së ish diktatorit, e cila kërkon të na tregojë rast e pa rast se është aty, si rrënja e një grëmi të keq që sdo mundemi ta heqim qafe dhe as ta shkulim dot kurrë. Por nuk dua të merrem me këtë hije të së kaluarës, me korbin që krrakit pareshtur dhe kërkon ta marrin akoma për shqiponjë. Kurse shkrimtarit të nderuar më duhet ti kujtojë se në këtë vend ka kohë që ka humbur koncepti mbi pronën dhe të drejtën e autorit.
Është një brez i tërë krijuesish të pas viteve 90-të, për të cilët nuk kujtohet askush, i ka mbuluar pluhuri i heshtjes, i kanë lënë në mëshirë të fatit, i kanë vrarë intelektualisht sikur të ishin ca rrangulla pa vlerë të cilat nuk i hyjnë në punë askujt. Kjo nuk është vetëm për shkak të teknologjisë, të rënies së numrit të lexuesve, ky është më tepër justifikim, por të politikave të ndjekura, të një dekadence morale, shpirtërore, të një fryme të verbër, shkombëtarizuese. Madje në këtë vend pronësia është çështja më e pazgjidhur, më e nxehtë, për të cilën sot e kësaj dite po derdhet gjak i pafajshëm, duke e kthyer vendin në një arenë të frikshme gladiatorësh. Në këtë këndvështrim çështja e një dorëshkrimi, humbet, bëhet fare e vogël, e parëndësishme. Kjo dallgë, ky cunam mediatik që po krijohet me këtë rast, kërkon të krijojë efektin e trushpëlarjes, e heqjes së vëmendjes nga problemet e mprehta që ka ky vend. Saqë sështë çudi se po të na thonin se heqja e imunitetit dhe marrja e dorëshkrimit tuaj nga Nexhmija, janë kushtet bazë që të na pranonin në Europë, do ta kishim besuar(!!) Dhe nëse me gjasë paskësaj do të kemi më shumë drita, ujë, punësim, mirëqënie, më tepër drejtësi, më pak kriminalitet dhe korrupsion, atëherë do viheshim patjetër në një llogore me ju, i nderuar, do mbronim kauzën tuaj deri në vetëflijim dhe do ta falnim edhe ndonjë gjynah të vogël të së kaluarës. Por nuk jemi aq të padijshëm, aq të verbër për të mos kuptuar se dikujt i intereson të spostojë axhendat, të na trembë me gogolin e së shkuarës, me të keqen që na rri pas dere dhe sna le të mbrothësohemi si komb.
Përderisa guxojnë të nëpërkëmbin një popull, nuk e kanë për pesë të njollosin edhe emrin tuaj, të përdorin çështjet tuaja personale në funksion të një strategjie shteruese, degdisëse, përhumbëse, si ujë që derdhet mbi enën që valon. Ose në rastin më të mirë, kërkojnë ta paraqesin si diçka të padëmshme, ti japin pamjen e një skupi, një lajthitjeje stinore, një thashethemnaje, baras me një histori rozë që kërkon të kapi një audiencë të caktuar. Dhe kësisoj nuk cënohet vetëm gjenia, kontributi madhor, shenjtëria juaj, por vete kombi në tërësi!