Infermierët e Sarandës, peticion Vasilit për largimin nga puna
Infermierët kanë filluar reagimet e para pas urdhrit të dhënë pak ditë më parë nga Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili, i cili parashikon largimin nga puna deri në vitin 2012 nëse personeli i infermierëve nuk zotëron arsimin e lartë. Kjo nuk është një reformë, por një flakje në rrugë që i bëhet personelit të infermierisë në të gjitha spitalet, shkruhet në një peticion që infermierë të Sarandës
kanë nënshkruar dje për tua shpërndarë kolegëve të tyre në mbarë vendin. Ata thonë se janë pro çdo reformë që ndërmerret për të mirën e shërbimit shëndetësor, por nuk besojnë se eksperienca shumëvjeçare në punë mund të shpërblehet në këtë mënyrë duke i flakur në rrugë. Infermierët sqarojnë se nga ky vit, Ministri i Shëndetësisë u ka lënë dy vjet e gjysmë kohë për plotësimin e arsimit të lartë, kur dihet shumë mirë se arsimi i lartë i mjekësisë shkon minimalisht në katër vjet pa specializimet. Nisur nga ky fakt, infermierët janë shprehur dyshues në lidhje me qëllimet e urdhrit duke thënë se kjo është një përpjekje për lëvizje në administratën e spitaleve sesa një nismë për të ngritur standardin profesional të personelit.
Last Updated on E Hene, 26 Prill 2010 20:59