E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inflacioni, masë drastike për frenimin e kërkesës

 

Dorëzohet BSH, rritja e interesave nuk ndal inflacionin. FMN ul shpenzimet qeveritare me 242 mln euro

Nëse rritja e interesave është një masë indirekte (ul investimet) për kontrollin e kërkesës në ekonomi, reduktimi me 240 mln euro i shpenzimeve qeveritare është një masë e drejtpërdrejtë. Shkaku i vetëm për tkurrjen e buxhetit, mbetet inflacioni që po rrjep çdo ditë shtresat me të ardhura të pakta të popullsisë.

Rritja e vazhdueshme e inflacionit gjatë pjesës së parë të këtij viti dhe pritjet e errëta për të ardhmen, kanë detyruar Fondin Monetar Ndërkombëtar që të marrë një masë drastike: uljen me rreth 30 miliardë lekë, ose 242 milionë euro të shpenzimeve në buxhet. Se cila do të jetë pjesa që do të shkurtojë "gërshëra" e FMN-së, kjo ende nuk është bërë e ditur nga qeveria, pasi një reagim i tillë nga FMN duket se shfryu tërësisht tullumbacen e investimeve rekord të vitit 2008. Nëse i kthehemi fundit të vitit 2007, kujtojmë se qeveria deklaroi shifrën rekord të investimeve dhe FMN i dha "OK" qeverisë për të marrë një borxh prej 85 miliardë lekësh, ose 7.9 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto. Por FMN vjen me një vendim tërësisht kontradiktor, vetëm 3 muaj pas fillimit të vitit. Deklarata e Fondit është mëse e qartë për çdo njeri që ka njohuri të ekonomisë. Ulja e shpenzimeve qeveritare me 242 .milionë euro, përkthehet në një masë të njëjtë uljeje në kërkesën agregate, duke qenë një masë e drejtpërdrejtë për ruajtjen e inflacionit. Kjo është masa e dytë, pas rritjes së interesave të lekut nga ana e Bankës së Shqipërisë, për uljen e kërkesës agregate. Është e padiskutueshme se një ulje kaq e fortë e shpenzimeve qeveritare në masën e 2.7 për qind të GDP-së, shoqëruar me një rritje të vazhdueshme të interesave për lekun do të reduktojë kërkesën agregate, ose thënë më saktë, ritmet e saj të rritjes. Por një masë e tillë e kërkuar nga ana e FMN, është në konflikt të pastër me interesat e qeverisë. Pavarësisht se qeveria deklaron rritje të kënaqshme të të ardhurave, shkurtimi me 242 milionë euro i financimit me anë të borxhit, cenon në mënyrë të drejtpërdrejtë shpenzimet qeveritare. "Kurbani" i parë i kësaj mase janë pagat, që janë cilësuar disa herë në deklaratat e përfaqësuesve të FMN-së si dhe guvernatorit Ardian Fullani, se nuk duhet që të rriten gjatë 2008. "Çdo masë e natyrës tjetër subvencionuese apo e rritjes së pagave, duhet të jetë e studiuar mirë, për të shmangur efektet anësore të natyrës së raundit të dytë dhe nxitjen e një cikli të ri inflacionist (ku çmimet rrisin pagat dhe pagat rrisin çmimet)",- sqaron Fullani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›