E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti, fillon sezoni i kursimeve

 

Gërshërët prekin investimet publike, por edhe rritjen e pagave dhe pensioneve. Vështirësi në KESH

Brenda këtij viti, qeveria duhet të shpenzojë 242 milionë euro më pak nga plani fillestar

Qeveria shqiptare ka pranuar të ulë shpenzimet e veta në masën 29 miliardë lekë, (rreth 242 milionë euro), këtë vit, në përpjekje për të mbajtur nën kontroll borxhin e brendshëm, kursin e këmbimit, deficitin buxhetor dhe inflacionin, si dhe për të garantuar një fond rezervë për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare dhe për rrugën Durrës-Kukës.

"Ne kemi rënë dakord të përmbajmë deficitin buxhetor në 5.2%",- deklaroi zëvendësministri i Financave, z.Sherefedin Shehu në konferencën e përbashkët për shtyp me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën e Shqipërisë. Sipas drejtuesit të Misionit të FMN-së, z.Gerwin Bell, "ka shumë rreziqe, ku dy më kryesorët, janë tejkalimi i kostos në rrugën Durrës-Kukës dhe humbjet e KESH". Për këtë arsye, nevoja për të mbajtur fonde rezervë është e madhe.

Qeveria nuk pranoi të deklarojë se ku do të kursehen paratë për të ulur deficitin, ndërsa Ministria e Financave përsëriti edhe një herë dje, se "këtë vit do të ketë një buxhet suplementar me të ardhurat e tepërta nga tatimet dhe rialokimet". Deficiti buxhetor i programuar në buxhetin aktual qe në masën 7.9% të PBB-së, pothuajse tërësisht për shkak të shpenzimeve për rrugën e Kukësit. Ulja e deficitit në 5.2% të PBB-së, nënkupton shkurtim shpenzimesh në masën 242 milionë euro.

Vrimat e zeza

Rruga e Kukësit dhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare janë sot për sot dy vrimat e zeza të financave publike në Shqipëri. Në fillim të këtij viti, sipërmarrësit që po ndërtojnë rrugën e Kukësit kërkuan rreth 100 milionë euro më shumë si pasojë e rritjes së kostos së lëndëve të para, ndërsa KESH pritet të shkaktojë humbje prej 135 milionë eurosh këtë vit. Qeveria pati planifikuar një fond rezervë prej 87 milionë eurosh, në fillim të vitit, dhe nuk planifikoi të japë para për KESH, në një kohë që refuzon propozimin e ndërkombëtarëve për një rritje tjetër çmimi në korrik. Nga Fondi i Kontigjencës, qeveria u detyrua të ndajë mënjanë rreth 15 milionë euro për tragjedinë e Gërdecit, ndërkohë që nuk dëshiron të heqë dorë nga rritja e programuar e pagave më 1 korrik, një operacion që duhet të kushtojë 8 milionë euro në muaj, ose 48 milionë euro, deri në fund të vitit.

Planifikimet tepër bujare në shpenzime buxhetore duke realizuar "buxhetin 4 miliardë dollarësh", siç e shpalli me mburrje kryeministri Berisha vjet, përkuan me krizën botërore të çmimeve dhe tejkalimet në shpenzime. Tani, FMN dhe Banka e Shqipërisë po këshillojnë qeverinë të mos shkaktojë "presione inflacioniste nga ana e kërkesës", gjë që do të thotë se duhet të ulen shpenzimet qeveritare.

Hera e fundit që Shqipëria u përball me nevojën e uljes së shpenzimeve buxhetore në mes të vitit, ka qenë në 2002. Në atë kohë, një plan investimesh të bollshme, të bazuara në të ardhura të pasigurta nga privatizimet, shkaktoi një kaos që la përgjysmë shumë projekte investimesh në infrastrukturë. Sot, situata duket pak më e vështirë për shkak se projekti që shkaktoi situatën aktuale, segmenti Rrëshen-Kalimash nuk mund të futet në listën e shkurtimit të shpenzimeve. Fondi prej 242 milionë eurosh, është afërsisht sa 75% e të gjitha investimeve të planifikuara me burime të brendshme dhe sa e gjithë sasia e borxhit të ri të brendshëm të planifikuar për t'u tërhequr këtë vit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›