E Diel, 1 Nëntor 2026

Inflacioni më i lartë, INSTAT ka ulur peshën e çmimeve me 10%

Pesha që zënë mallrat ushqimore në totalin e shpenzimeve mujore të një familjeje shqiptare është ulur nga INSTAT nga 425 që ishte në 38 për qind, me qëllim që të mos raportohet inflacioni në gjendjen e tij reale. Në fillim të këtij viti Instituti i Statistikave vendosi që të llogarisë ndryshe normën e inflacionit, duke e çuar peshën e mallrave ushqimorë në 4 pikë përqindje më të ulët se sa ishte ose në rreth dhjetë për qind më pak. Këtë Instituti i Statistikave e bëri në një moment, kur çmimet e ushqimeve ishin duke u ngritur dhe kishin dhënë efektet e para në rritjen e kostos së jetës, domethënë indeksin e çmimeve të konsumit. Kjo gjë mund të kishte arsye të bëhej, në rast se çmimet e mallrave ushqimore do të ishin ulur qartë e kësisoj INSTAT mund të mendonte se tashmë shqiptarët shpenzojnë më pak për ushqime, duke qenë se ato kushtojnë më lirë. Sipas të dhënave zyrtare, në rast se inflacioni do të matej duke llogaritur që ushqimet zinin 42 për qind të shpenzimeve sa edhe më parë, ai do të ishte mbi 5 për qind. Kjo është shumë e llogaritshme. Inflacioni është në masën e rreth 4 %, ndërkohë që në prill ai shkoi në 4,5 për qind. Fakti që pesha e mallrave ushqimore u ul me rreth dhjetë për qind, është një prej arsyeve pse inflacioni real shfaqet nën pesë për qind. Të dhëna të Bankës së Shqipërisë thonë se inflacioni te grupi i mallrave ushqimore është 13 për qind dhe muaj më parë ishte 13,2 për qind. Është e qartë se çmimet e ushqimeve janë rritur dukshëm dhe pesha e tyre në shpenzimet familjare jo vetëm që nuk ulur nga 42% të totalit në 38 për qind, por me siguri që është rritur. Thuajse të gjitha vendet e tjera ta rajonit me përjashtim të Greqisë kanë një peshë të ushqimeve mbi 40 për qind. INSTAT ka pasqyruar me saktësi vetëm inflacionin që vjen prej mallrave të tjerë, por jo atë që vjen prej çmimeve dhe kjo ka fshehur nivelin e vërtetë të inflacionit. Çmimet e ushqimeve me bazë drithërat janë rritur, për shkak se çmimi i drithit në tregun botëror u rrit shumë këtë vit. Ushqimet me bazë drithërat janë të shumta dhe janë ndër më të nevojshmet për çdo familje. Ardhja e stinës së verës ka bërë që shumë çmime perimesh dhe frutash të bien e kjo është pasqyruar edhe në nivelin e inflacionit, i cili, sipas INSTAT, ka rënë në thuajse 4 për qind.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›