E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu, shitja e armatimit kinez dhe ligji

Ish-ministri Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe ministri i tanishëm i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, shkatërruan dy ditë më parë tërë ngrehinën e argumenteve për shitjen e ligjshme të armëve që kishte ngritur kryeministri Berisha prej muajsh, që prej ditës së shpërthimeve në Gërdec. Mediu dhe Oketa thanë se ligji shqiptar nuk e ndalonte shitjen e armatimit kinez, pavarësisht se ligjet e vendeve të caktuara nuk lejonin blerjen e këtij armatimi. Kësisoj, ish-ministri, Fatmir Mediu dhe ministri i Oketa dëshmuan se qeveria shqiptare mund t’i ketë dhënë armatim kinez qeverisë amerikane, pavarësisht se ligji amerikan nuk e lejon dhe ata këtë e quanin një gjë të pandaluar nga ligji. Këta dy funksionarë të lartë publikë treguan se me ç’arsyetime mizerabël merren vendimet në këtë vend. Pa hyrë në hollësira për dijenitë e ish-ministrit mbi origjinën e armatimit të shitur dhe mbi dijenitë e kontraktorit të qeverisë amerikane mbi këtë origjinë, është e qartë se ministri Fatmir Mediu me këtë arsyetim ka zbuluar metodologjinë se si punonte ai. Jo çdo gjë që nuk ndalohet lejohet, kjo është elementare për çdokënd. Nën këtë arsyetim nuk merren vendime, por vetëm thyhen norma ligjore. Ligji nuk është një normë me karakter ndalues, assesi, pavarësisht se e përfshin edhe atë. Ligji është normë që tregon se si duhet të jetë një gjë, se si duhet bërë një gjë. Autoritete që kanë themeluar dhe ngritur këtë shkencë, që prej Jonh Austin, Jeremy Bentham e deri te Ronald Duorkin, sot e kanë zgjidhur këtë gjë me përkufizimin e mësipërm. Në anën tjetër, Mediu dhe Oketa duhet ta dinë se legjislacioni në fuqi në vendin tonë nuk përbëhet vetëm nga ligjet shqiptare, por ka shumë të tjera që janë përparësore ndaj ligjeve tona. Është ligji ndërkombëtar që vjen përmes konventave të ndryshme të OKB dhe të organizmave të tjera (të miratuara nga parlamenti ynë), i cili duhet të qeverisë më parë vendimmarrjen e zyrtarëve shqiptarë. Është Kushtetuta e më pas është ligji jonë për shitjen e armëve. Kjo sa për parimin, mbi të cilin do të duhet të fliste Mediu dhe Oketa dhe jo të përmendte thjesht ligjin tonë. Ta zëmë, a e lejon Kushtetuta jonë në frymë që ne t’iu shesim armatim të skaduar kinez një aleati si SHBA? ǒlloj sjelljeje për shembull këshillon Kushtetuta në marrëdhënie me aleatët? Dy mendimet më të mëdha juridike në botë të filozofisë kushtetuese janë “moral constitution” dhe “living constitution” dhe në asnjërën prej tyre nuk gjendet logjika e Mediut dhe Oketës për të këtë sjellje të qeveritarëve. Edhe filozofia e Kushtetutës morale, edhe filozofia e Kushtetutës që i përgjigjet zhvillimit të shoqërisë, e zbojnë këtë arsyetim qesharak të zyrtarëve tonë. Ana tjetër, më e rëndësishmja dhe ajo që prodhoi Gërdecin dhe trafikun e municionit kinez është se ligjin zyrtarë të tillë e shohin si normë me karakter formal, në një kohë që ligji s’është i tillë. Ata duhet ta shohin ligjin si një mjet për të mbrojtur interesat e publikut. Ky është qëllimi i ligjit. E thotë John Paul Stivens, anëtar i Gjykatës së Lartë në SHBA, e thotë Hans Kelsen, autori më influent në teorinë e ligjeve në “The Pure Theory of Law”, e cila mësohet nga të gjithë studentët në botë dhe zbatohet në këtë mënyrë në të gjithë botën demokratike. Pavarësisht se nga pikëpamja formale Mediu apo edhe Oketa nuk ndalohen, sipas tyre, të shesin armë kineze, këta duhet të llogarisin interesin e qytetarëve shqiptarë me këtë vendimmarrje. Pasojat e deritashme e tregojnë qartë se këta as që kanë menduar për këtë gjë. Ligji është një “koncept interpretativ” që iu kërkon vendimmarrësve të gjejnë zgjidhjen më të drejtë dhe më të mirë në një çështje. Çfarë ka bërë Mediu? Si e interpretoi ai ligjin dhe a gjeti zgjidhjen më të mirë duke i dhënë armatim kinez ushtrisë amerikane, ushtrisë një vendi që e cilëson mision të sajin promovimin e demokracisë që prej dekadash? Arsyetimi i Mediut, nëse mund t’i gjendet një qasje për mënyrën e gjykimit, ka një qasje krejtësisht totalitare dhe marksiste, pasi merret me anën formale dhe ligjin si normë ndaluese. Zyrtarë të tillë nuk mund të arsyetojnë në mënyrë tjetër dhe për këtë shkak pati një plojë në Gërdec. Edhe kabineti i ministrit të Mbrojtjes nuk mund ta bënte, pasi nuk kishin zotësinë ta bënin dhe ndoshta as ishin atje për ta bërë. Metodologjia e arsyetimit që ata përdorin është një përzierje e padijes, marksizmit dhe keqpërdorimit të qëllimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›