Kongresmeni Waxman i shkruan Mediut
Dear Mr. Mediu!
I angazhuar prej disa muajsh në një hetim mbi përgjegjësit e administratës amerikane rreth blerjes së municioneve kineze në Shqipëri me fondet e Pentagonit për ushtrinë afgane, jam i detyruar të të them se emri juaj më shfaqet thuajse në çdo hallkë të hetimit. Në fillim u bëra shumë kurioz për biografinë tuaj dhe kërkova të dija diçka pa pyetur kanalet zyrtare. Kërkova në listat e Interpolit dhe të disa shteteve perëndimore, por nuk kishe asnjë problem. E vetmja rastësi ishte një person tjetër me emrin Fatmir Medihoxha, i cili rezultonte i ndaluar në Itali për përpjekje për të fshehur një person në kërkim dhe për ta kaluar atë ilegalisht duke i ndërruar identitetin. Kishte disa koincidenca me të dhënat e tua, por mbiemri i ndryshëm m’i hoqi dyshimet. I qetë pyeta në Pentagon rreth dijenive për ty, por askush nuk më jepte një përgjigje të qartë. Kishte prej tyre që më thoshin se flet shumë mirë anglisht, ndërsa unë iu kërkoja të dija ç’marrëdhënie kishe me Pentagonin. Të tjerë më sugjeruan të të takoja vetë dhe t’iu thoja atyre pastaj ç’kuptova nga biseda me ty. Këto përgjigje të Pentagonit m’u dukën të çuditshme. Kjo më bëri t’i drejtohem Departamentit të Shtetit, por aty situata ishte dhe më konfuze. Shumica mendonin se ti ishe person përgjegjës për atë që ka ndodhur në
Gërdec, afër Tiranës. Por unë nuk jam i interesuar për atë çështje. Unë jam i interesuar të di vetëm se në çfarë kohë ju e mësuat se fishekët kinezë po ripaketoheshin dhe po i shiteshin një kompanie amerikane. Në Departament të Shtetit më thanë se ju jo vetëm që e keni ditur që në fillim, por keni gjetur dhe një shoqëri seksere qipriote-zvicerane, që të futet në mes dhe të rrisë çmimin e këtij operacioni, nga i cili buronin dhe paratë për ju dhe bashkëpunëtorët tuaj të afërt. Por mua dhe kjo nuk më intereson shumë zoti Mediu, pasi në vendin tuaj gjithë ministrat vjedhin. Kush më shumë, kush më pak, kjo nuk ka rëndësi. Për mua ka rëndësi se kur e mësoi ambasadori Withers këtë të vërtetë, kur erdhën hetuesit amerikanë, apo kur i kërkuat ju ndihmë që të mos e zbulonte këtë gjë reporteri i “New York Times”. Ti i di marrëdhëniet e mija të këqija me Departamentin e Shtetit dhe atje më referojnë gjerësisht se ambasadori Withers e ka marrë vesh skandalin disa muaj më parë, pasi paska bashkëpunuar dhe me një hetues amerikan që ka shkuar aty për këtë çështje. Sipas tyre, kur ti ia ke thënë ambasadorit këtë problem, për t’i qarë
hallin tënd, ai ka heshtur dhe nuk të ka aprovuar. Por, nga ana tjetër, ka burime në Departament që thonë se ju ka mbështetur në idenë tuaj që të fshihnit çdo gjurmë në Rinas nga reporteri, vetëm për të të implikuar ty në këtë aferë. Realisht, ata e
kishin të zbardhur skandalin, para se ti t’iu kërkoje ndihmë. Së fundi unë u njoha dhe me letrën tuaj drejtuar ambasadorit Withers, por nuk kuptova stilin tënd përulës që këtë çështje ta rregullosh privatisht në SHBA. Këtu askush nuk të ndihmon dot, edhe pse mund të të ketë shumë mik. Nuk e di si është atje në Shqipëri, se thonë që po ta njohësh atë Flamurin e PD, ta falin, dhe nëse ke hedhur në erë 30 milionë dollarë, siç ishte rasti i shpërthimit në Gërdec. Këtu kjo është e vështirë, ndaj m’u duk pa kuptim përulja jote ndaj tij. Për këtë arsye zoti Mediu unë kam një zgjidhje për ju. Unë dua një takim kokë më kokë me ju, të sqaroj disa enigma dhe të më japësh dhe ndonjë të dhënë shtesë që nuk ke qejf ta thuash publikisht. Mua më kanë sugjeruar shumë miq të tu këtu në SHBA të të ndihmoj të jesh i penduari i kësaj çështjeje dhe me këtë rast ti mund të mbyllësh shumë telashe me politikën shqiptare dhe me jetën tënde personale në përgjithësi. Miku yt, Dag, më ka thënë se kjo mund të arrihet, nëse pozita jote vazhdon të rëndohet. Por dhe miq të tjerë këtu thonë se ti je personi më i përshtatshëm për ta bërë këtë. Të njëjtin besim ka dhe ai biznesmeni, ku blen rroba, që ka fotografinë tënde në dyqanin e tij. Nëse të kthehet mendja, unë po të lë telefonin tim dhe të sekretares sime në dispozicion.
I yti, Waxman