Informacion nga Zvicra për zhdukjen e Ismet Kryeziut
TIRANE- Dyshimet më të fundit të policisë së kryeqytetit në lidhje me zhdukjen e ish-ushtarit të UÇK-së, Ismet Kryeziut, flasin për një vendndodhje të tij të mundshme në Zvicër. Kjo pasi atje ndodhen fëmijët e tij, të cilët mund të ketë shkuar për t’i takuar, por edhe për shkak të borxheve të shumta që kishte në Shqipëri dhe në Kosovë. Për këtë arsye, policia shqiptare ka kërkuar ndihmën e policisë së Zvicrës, në mënyrë që të gjejë sa më shumë informacione në lidhje me Ismet Kryeziun apo edhe për të hedhur poshtë dyshimet dhe për të ngritur pista të reja hetimi, nëse vendndodhja e tij nuk është atje. Policia shqiptare, e cila prej disa ditësh ka marrë në dorë dosjen e zhdukjes së ish-ushtarit të UÇK-së, Ismet Kryeziu, kërkon të rimarrë në pyetje bashkëshorten dhe vjehrrin e ushtarakut. Ai njihet si mik i Remzi Hoxhës, edhe ky person i zhdukur nga SHIK-u në vitin 1995. Kanë kaluar 3 muaj që nga dita kur bashkëshortja dhe vjehrri i Kryeziut denoncuan humbjen e çdo kontakti me të, por deri më sot nuk është zbuluar asnjë e re për vendndodhjen e tij apo për shkaqet e largimit. Burime nga policia bënë të ditur se dosja “Kryeziu” është deleguar prej disa ditësh, pasi Prokuroria nuk u bind për versionin e zhdukjes apo të rrëmbimit, duke kaluar fashikullin në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Në këtë institucion pritet që në ditët në vazhdim të rimerren në pyetje Anila Leli, bashkëshortja e 54-vjeçarit, vjehrri i tij, Çezar Leli, si dhe disa biznesmenë që ai i ka pasur miq. Gjithashtu do të kërkohet përsëri edhe dëshmia e Adem Shehut dhe Dilaver Goxhajt, dy ish-kolonelë të UÇK-së, të cilët kanë qenë personat e fundit që Kryeziu ka takuar më 16 nëntor të vitit 2008, ditë kur nuk është kthyer më në shtëpi. Nga verifikimet e Prokurorisë është mësuar se 54-vjeçari Kryeziu kishte në përdorim tre pasaporta të ndryshme, që i vinte në punë për udhëtim. Madje mësohet se me dokumente të tilla Ismet Kryeziu ka kryer tre hyrje-dalje në Shqipëri në ditët e fundit, para se të zhdukej. Ismet Kryeziu dhe bashkëshortja e tij, gazetarja kosovare Anila Leli, kanë mbërritur në Tiranë më 5 nëntor të vitit 2008, për të takuar vajzën e tyre. Ata kanë qëndruar në shtëpinë e vjehrrit të Kryeziut, Çezar Leli, në rrugën “Niko Avrami” në Tiranë. Më 16 nëntor të 2008-ës, ai ka dalë për të takuar ish-kolonelin e UÇK-së, Shehu dhe ish-shefin e kabinetit të Ministrit të Mbrojtjes së Qeverisë së Përkohshme të pasluftës, të Kryeministrit Hashim Thaçi dhe nuk është kthyer më në shtëpi. et.de