E Diel, 1 Nëntor 2026

Urdhri, 970 policë të Tiranës transferohen nëpër rrethe

 

ETLEVA DELIA

Marrin masa disiplinore, transferohen nga Tirana në komisariatet e rretheve. Ky vendim është marrë për 970 uniformat blu të komisariateve dhe Drejtorisë së Policisë, të cilët pritet që së shpejti të nisin punën jashtë kryeqytetit. Vendimi është marrë nga drejtues të lartë të policisë së qarkut, për të gjithë ata oficerë policie që kanë masa disiplinore. Ata do të largohen nga detyra që kanë në Tiranë, për të shkuar me të njëjtën detyrë nëpër rrethe, derisa masa disiplinore të hiqet nga dosja e tyre personale. Burime nga policia bënë të ditur për gazetën “Panorama” se në momentin që masa disiplinore do të hiqet nga dosja dhe në rast se ata nuk do të jenë ndëshkuar edhe në detyrën e re, atëherë do të shqyrtohet rikthimi i tyre në detyrën që kanë pasur në kryeqytet. Sipas të njëjtave burime bëhet e ditur se kjo nismë është marrë për të shmangur abuzimet në detyrë, si dhe për të përmirësuar punën, në mënyrë që të mos ketë më shkelje të rregullores së disiplinës së policisë.
MASAT DISIPLINORE
Transferimet e policëve që priten të kryhen së shpejti, nga Tirana në drejtim të rretheve, kanë për qëllim disiplinën dhe përmirësimin e punës së uniformave blu. Grupi i punës që është ngritur në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, për të shqyrtuar kriteret dhe për të përcaktuar emrat e oficerëve të policisë që do të largohen nga kryeqytetit, kanë vendosur edhe disa kushte në bazë të të cilave do të bëhen largimet. Të gjithë ata punonjës policie të komisariateve apo edhe të sektorëve dhe seksioneve të Drejtorisë së Tiranës, që kanë marrë masa disiplinore të natyrës, “vërejtje me paralajmërim”, “gjobë me masën sa paga e tyre për pesë ditë pune”, “shtyrje e afatit të gradimit nga një muaj në një vit”, “pezullim pa pagesë nga 5 ditë deri në 30 ditë” dhe “ulje në gradë”, do të kenë si ndëshkim tjetër transferimin nga vendi aktual i punës.
RIKTHIMI NE DETYRE
Përveç kritereve që janë përcaktuar për transferimin e punonjësve të policisë nga Tirana në rrethe, grupi i punës ka përcaktuar edhe kriteret e anasjelltë: kriteret që do të bëjnë të mundur rikthimin e tyre në punë. Kjo mundësi e dytë do t’u jepet të gjithë policëve, pas heqjes së masës disiplinore nga dosja e tyre personale, por me kushtin tjetër, që gjatë periudhës që kanë qenë me detyrë në rrethe të mos kenë kryer asnjë shkelje, siç përcaktohet në rregulloren e re të disiplinës së policisë. Në rast të kundërt, ata nuk do të mund të rikthehen sërish në punë, pa kaluar prapë të njëjtat procedura.  

Masat disiplinore

Do të transferohen të gjithë ata punonjës policie të komisariateve apo edhe të sektorëve dhe seksioneve të Drejtorisë së Tiranës, që kanë marrë masa disiplinore të natyrës, “vërejtje me paralajmërim”, “gjobë me masën sa paga e tyre për pesë ditë pune”, “shtyrje e afatit të gradimit nga një muaj në një vit”, “pezullim pa pagesë nga 5 ditë deri në 30 ditë” dhe “ulje në gradë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›