E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teuta mund Vllazninë me poker golash, Canaj jep dorëheqjen

 

Fatjon Kodra

Teuta bëri surprizën më të madhe të javës së fundit të fazës së dytë, duke shkatërruar 4-0 Vllazninë dhe duke zbritur këtë të fundit në vendin e dytë. Pas rezultateve të shumta negative, Teuta është rikthyer te fitorja, duke mposhtur brenda në shtëpi Vllazninë me rezultatin e thellë 4-0. Një humbje e tillë ka ndikuar në fatin e kreut të pankinës shkodrane, Agim Canaj, i cili menjëherë pas përfundimit të takimit ka vendosur të japë dorëheqjen. Kuqeblutë e trajtonin Teutën si pikë rehabilituese për humbjen në mesjavë për Kupën e Shqipërisë me Dinamon, ndërsa durrsakët e kërkonin kthesën nga “tersi” që i kishte kapur në bilancin negativ të shtatë ndeshjeve të fundit, pikërisht me kryesuesen e kampionatit.
Lushnja-Tirana
Tirana nuk shkoi më shumë sesa një barazim pa gola me Lushnjën, por gjithsesi është ajo që mbyll fazën e dytë në vendin e parë, duke fituar të drejtën që ndeshjen e fundit të kampionatit, atë kundër Vllaznisë ta luajë në kryeqytet. Në këtë mënyrë, Lushnja merr një pikë me shumë sakrifica përballë një Tirane të etur për fitore.
Dinamo-Bylis
Dinamo shpartalloi 5-1 Bylisin. Qetësinë e tifozëve të pranishëm në stadiumin “Selman Stërmasi” e ka prishur goli i bukur i Plakut. Dinamo vazhdon të sulmojë, në një kohë që ballshiotët janë të pafuqishëm në krahun e djathtë të mbrojtjes. Bylisi sheh më tepër përpara, derisa arrin edhe golin e barazimit me anë të Klevis Dalipit. Por pjesa e dytë është shpërthyese për dinamovitët, të cilët në harkun kohor të një minute kanë shënuar dy gola, me anë të Sefës dhe Bakajt. Ka dhe momente të tjera të rrezikshme me anë të Plakut, i cili vetëm në fundin e ndeshjes do ta arrijë golin e tij të dytë. Por përpara tij është Sefa, që “firmos” dopietën, pas kromimit të Plakut, i cili, duke pasur shërbimin e Çekos, ka gjetur golin e tij të dytë. 5-1 për blutë, tifozët dinamovitë në delir, kurse ballshiotët e kanë me Federatën.
Shkumbini-Flamurtari
Nuk ka surpriza në takimin përmbyllës të fazës së dytë midis Shkumbinit e Flamurtarit, teksa peqinasit kanë arritur një fitore mjaft të vështirë me rezultatin 2-1, duke përmbysur avantazhin momental të arritur nga miqtë në pjesën e parë. Vlonjatët gjejnë golin në fund të pjesës së parë, kur pas një krosi nga këndi, është Galica që kërcen fuqishëm mbi mbrojtësit vendës dhe kalon skuadrën e tij në avantazh. Pas dy tentativash personale, Mustafaj mendon të japë një asist të bukur, duke shërbyer mesfushorin Deliovski, i cili në pozicion të prirët, arrin të shënojë dhe të barazojë shifrat. Goli i avantazhit nuk do të vonojë dhe kësaj here mban firmën e Turdiut, që pasi merr një asist të artë nga Deliovski, shënon golin e dytë e të fitores.
Elbasani-Partizani 0-1
Elbasani është mundur në mënyrë të dyshimtë dhe të turpshme në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta” nga Partizani që këtë sezon po financohet nga tifozët dhe vullnetarët. Gjithçka ka folur për djemtë e drejtuar nga Shpëtim Duro, të cilët jo vetëm që kanë marrë tre pikët, por i kanë mbyllur gojën të gjithë atyre pesimistëve që mendonin se Partizani është i pafuqishëm për të qëndruar në kategorinë Superiore këtë sezon. Ka mjaftuar një gol i të riut Bega që Partizani të ngrohet mirë dhe të ngjisë disa shkallë në renditje. Në minutën e 92-të kur pritej vërshëllima e fundit, Elbasani ka shansin e fundit të barazojë, pasi fiton një penallti. Goditja nga pika e bardhë merret përsipër nga Vrapi i cili gjuan, por Shehi bën heroin, duke e pritur gjuajtjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›