E Diel, 1 Nëntor 2026

Burg të rinjve, u kapën me drogë në Qytetin Studenti

 

TIRANE – Gjykata e Tiranës vendosi dje masën e sigurisë “burg pa afat” për dy të rinjtë e arrestuar në Qytetin Studenti me 160 gramë hashash. Përfaqësuesi i Prokurorisë që kishte drejtuar hetimet paraprake pohoi se dy të rinjtë kryeqytetas, Alfred Musabelli, 24 vjeç dhe Mirgen Shuke, 23 vjeç, u prangosën në flagrancë nga efektivët e seksionit të Luftës Kundër Drogës, katër ditë më parë, pas një survejimi disajavor ndaj tyre. Sipas përfaqësuesit të akuzës, prangosja e dy të rinjve u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në një lokal të tyre në mjediset e Qytetit Studenti u gjetën 51 qese të vogla, të mbushura me lëndë narkotike, e dyshuar të ishte e llojit canabis sativa. Po kështu, atyre iu kap edhe një sasi prej 75.430 lekësh që dyshohet se është përfituar nga shitja e narkotikëve. Ndërkohë policia vuri në pranga edhe bashkëmoshatarin e tyre Aldo Shehaj, të cilit gjatë kontrollit në banesë iu gjet një armë e markës “Magnium”, të cilën e mbante pa leje. Po kështu, policia ka vendosur të nisë procedimin në gjendje të lirë edhe për dy kryeqytetas të tjerë, 49- vjeçarin Petref M., dhe Elton M., 32 vjeç, të akuzuar për “organizim të lotarive të palejuara” dhe “vënies në dispozicion të lokaleve për lojëra të palejuara”, vepra penale, të cilat dyshohet se janë konsumuar në lokalin ku u gjet droga. Pas dërgimit në Komisariat, policia u komunikoi dy të rinjve Alfred Musabelli dhe Mirgen Shuke akuzën e “shitjes së narkotikëve”, ndërsa dje nën të njëjtën akuzë prokurori kërkoi mbylljen e tyre në qeli, deri në përfundim të hetimeve. Vetë të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre kërkuan masë më të lehtë sigurie, duke pretenduar në gjykatë se ishin të pafajshëm dhe se nuk kishte prova në ngarkim të tyre. Sipas tyre, nuk ekzistonte një akt ekspertimi në të cilin të shënohej se lënda e kapur ishte drogë, si dhe të përcaktonte pronësinë e tyre mbi të. Por ky pretendim i tyre u rrëzua nga gjykata. Ndërkohë, për të pandehurin Aldo Shehaj, të cilit Prokuroria i komunikoi akuzën e “armëmbajtjes pa leje”, gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Në vendimin e shpallur për këtë, gjykata vlerësoi rrezikshmërinë e ulët të veprës penale, pasi arma u gjet në shtëpi dhe nuk ekzistonte një ekspertizë që do të përcaktonte nëse arma ishte apo jo e rregullt teknikisht.           fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›