E Hënë, 2 Nëntor 2026

Infrastruktura e rëndësishme e Korridorit të VIII, Elbasan-Librazhd, investim që çliron potencialin ekonomik të zonave

Punimet për dy tunelet që lidhin Elbasanin me Librazhdin, pjesë e Korridorit të Tetë, po ecin përpara.

Si një ndër kantieret më të rëndësishme të Korridorit të Tetë, në rrugën Elbasan-Librazhd, ky investim është në fazën e pestë. Gjatë inspektimeve, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, tha se me këto ritme të hapjes, muaji shtator do të bëjë të dukshme dritën në anën tjetër të tunelit.

“Tunelet, që të dy, janë 1.1 kilometër të gjata, kështu që në fund të shtatorit do të kemi përfunduar me gërmimin dhe më pas do të bëjmë gjithë pjesën për ta dorëzuar në fillim të pranverës së vitit tjetër,” u shpreh ajo.

Në inspektime të punimeve, kreu i qeverisë, Edi Rama, vlerësoi punën e bërë, duke rikujtuar edhe përpjekjet për hapjen e tunelit të Murrizit, si një nga më të vështirët për shkak të gjeologjisë së zonës. Ai inkurajoi vijimin me vepra të tjera, siç është rruga Librazhd-Dibër.

“Kur kaluan Murrizin i kalojnë të gjitha. Kur e mbyllim Librazhd-Dibër… E dëgjoni ju, dibranët? Për ju paska qenë kjo botë! Mirë Rruga e Arbërit, po tani s’do dilni edhe te liqeni i Pogradecit me shpejtësi të madhe?”, tha Rama.

Tetori i vitit të kaluar shënoi një hap të rëndësishëm për Korridorin e Tetë, me punimet intensive për ndërtimin e rrugës së re Elbasan-Librazhd në kthesat e Murrashit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›