E Hënë, 2 Nëntor 2026

Instalonin matës të energjisë pa kontratë, jepen masat e sigurisë për zyrtarët dhe ish-zyrtarët e OSHEE

Gjykata e Gjirokastrës ka caktuar masën e sigurisë 16 persona, punonjës dhe ish-punonjësit e OShEE, Gjirokastër pasi akuzohen se kanë shpërdoruar bazën materiale në magazinën e drejtorisë, për të siguruar dhe instaluar matës të energjisë elektrike, pa kontratë me OShEE-në.

Ndërkaq, 4 prej tyre janë lënë në arrest në burg, ndërsa 6 të tjerë në “arrest në shtëpi”, ndërkohë për 6 shtetas të tjerë është vendosur masa e sigurisë.

“Gjykata e Gjirokastrës ka caktuar masat e sigurisë për 16 shtetas. 4 shtetas janë lënë në “arrest në burg”, ndërsa 6 të tjerë në “arrest në shtëpi”, ndërkohë për 6 shtetas të tjerë është vendosur masa e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi për të dalë jashtë shtetit”. Po ashtu shpallet në kërkim 1 ish-punonjës, me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për të njëjtën veprimtari kriminale.

Nga hetimet dyshohet se punonjësit dhe ish-punonjësit e OShEE, Gjirokastër, kanë shpërdoruar bazën materiale në magazinën e drejtorisë, për të siguruar dhe instaluar matës të energjisë elektrike, pa kontratë me OShEE-në, me qëllim marrjen e përfitimeve të kundërligjshme, nga abonentë familjarë dhe subjekte, të cilët nëpërmjet këtyre matësve, vidhnin energji elektrike”, thuhet në njoftimin e policisë.

Njoftimi: Si rezultat i një hetimi disamujor, me metoda proaktive, të kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Gjirokastrës, mbi kallëzimin e bërë nga Drejtoria e Përgjithshme Antikorrupsion e Ministrisë së Drejtësisë, finalizohet operacioni policor i koduar “Kilovati”.

Ekzekutohen masa sigurie, të caktuara nga Gjykata e Gjirokastrës, për 16 shtetas: “Arrest në burg”, për 4 shtetas dhe “Arrest në shtëpi”, për 6 shtetas, punonjës dhe ish-punonjës të OShEE, Gjirokastër, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shpërdoronin bazën materiale të drejtorisë, si dhe siguronin dhe instalonin matës të energjisë elektrike, pa i regjistruar; “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi për të dalë jashtë shtetit”, për 6 qytetarë, të cilët vidhnin energji elektrike, nëpërmjet këtyre matësve.

Shpallet në kërkim 1 ish-punonjës, me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për të njëjtën veprimtari kriminale. Sekuestrohen në banesën e njërit prej të arrestuarve: 22 matës të energjisë elektrike, si dhe 13 kuti plastike dhe 9 vula për vendosjen dhe vulosjen e tyre. Gjithashtu, janë sekuestruar sende të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale dhe dokumente të ndryshme në funksion të hetimit.

Gjatë operacionit “Kilovati”, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Seksionin Operacional dhe me Seksionin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, ekzekutoi masën e sigurisë:

•“Arrest në burg”, për shtetasit:

-S. K., 30 vjeç, banues në Libohovë, me detyrë përgjegjës grupi;

-R. Gj., 60 vjeç, banues në Gjirokastër, me detyrë përgjegjës grupi;

-R. B., 51 vjeç, banues në Gjirokastër, me detyrë elektricist;

-I. B., 32 vjeç, banues në fshatin Lazarat, ish-punonjës.

•”Arrest në shtëpi”, për shtetasit:

-Xh. B., 62 vjeç, banues në fashtin Mashkullor, me detyrë elektricist;

-E. Xh., 39 vjeç, banues në Gjirokastër, me detyrë faturist;

-R. S., 68 vjeç, banues në Gjirokastër, ish-punonjës;

-S. R., 42 vjeç, banues në Gjirokastër, ish-punonjës;

-S. B., 58 vjeç, banues në Gjirokastër, me detyrë elektricist;

-T. B., 37 vjeç, banues në Konispol, me detyrë elektricist.

•Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi për të dalë jashtë shtetit”, për 6 qytetarë të akuzuar për vjedhje të energjisë elektrike.

Nga hetimet dyshohet se punonjësit dhe ish-punonjësit e OShEE, Gjirokastër, kanë shpërdoruar bazën materiale në magazinën e drejtorisë, për të siguruar dhe instaluar matës të energjisë elektrike, pa kontratë me OShEE-në, me qëllim marrjen e përfitimeve të kundërligjshme, nga abonentë familjarë dhe subjekte, të cilët nëpërmjet këtyre matësve, vidhnin energji elektrike.

Në banesën e 32-vjeçarit të arrestuar, u gjetën sendet e sekuestruara me cilësinë e provës materiale dhe u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose e impulseve telefonike”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›