E Shtunë, 31 Tetor 2026

Injoranca është fuqi

Nënkomisar Sokrat Boçi

Aftësi apo paaftësi, rrëmuja e një vendimi qeverie, që mban nr. 79, datë 21.01.2009 Për miratimin e Stemës, të Uniformës, Gradave, Emblemës, Flamurit dhe shenjave të Policisë së Shtetit. Këshilli i Ministrave në pikën 1 të këtij vendimi, pas fjalës flamuri ka vendosur të shtojë fjalët stema e shërbimeve, të cilat nuk përfshihen në titullin e vendimit nr. 79. Ndërsa në pikën 2 të këtij vendimi, K. Ministrave ka vendosur ta heqë fjalën stema e shërbimeve dhe i trajton në këtë vendim në pikën 2.2. Stemat, sipas shërbimeve të policisë do jenë: 2.2.1 Stema e departamentit të Kufirit dhe Migracionit; 2.2.2 Stema e Policisë së Rendit; 2.2.3 Stema e Policisë Rrugore; 2.2.4 Stema e Forcave Speciale; 2.2.5 Stema e FNSH. K. Ministrave, shton dhe trajton në pikën 2.2.6 Logoja e Policisë, e cila nuk përfshihet në titullin e vendimit nr. 79.

Por çfarë ndodh. Uniforma që renditet e dyta në titullin e vendimit nr. 79, kalon dhe renditet e treta në pikën 2.3 të këtij vendimi, Uniformat. Gradat që renditen të treta në titullin e vendimit nr.79, kalon dhe renditet dhe trajtohet e pesta në pikën 2.5 të këtij vendimi. Gradat sipas niveleve në Policinë e Shtetit. Vlen të përmendim nenin 38 Paraqitja e gradave të ligjit nr. 9749, datë 04.06.2007 Për Policinë e Shtetit, i cili shprehet: paraqitja, forma dhe ndërtimi i gradave miratohen me vendimin e Këshillit të Ministrave. Mirëpo në VKM nr. 79, datë 21.01.2009, nuk shikohet gjëkundi se, kush është forma dhe përmasat e gradave të reja të Policisë së Shtetit?

Flamuri që renditet i pesti në titullin e vendimit nr.79, kalon dhe renditet dhe trajtohet i fundit në këtë vendim, por që duhet të renditet i pari (neni 5 i Ligjit nr.9749, datë 04.06.2007 Për Policinë e Shtetit), po të respektohej renditja.

Këshilli i Ministrave, ndryshe nga titulli i vendimit nr. 79, në pikën katër të këtij vendimi ka vendosur që uniforma nga e dyta e rendit të parën, stemën nga e para e rendit të dytën, emblemën nga e katërta e rendit të tretën, flamurin nga i pesti e rendit të katërtin, gradat nga i treti i rendit të pestat. Po në këtë pikë (pikën 4), K. Ministrave shton fjalët stema e shërbimeve të Policisë së Shtetit, ndërsa fjalët dhe shenjave të Policisë së Shtetit, që përfshihen të fundit në vendimin nr. 79, e heq nga pika 4 e këtij vendimi.

Këshilli i Ministrave në pikën 5 të vendimit nr. 79 shfuqizon vendimin e shfuqizuar të K.Ministrave nr. 332, datë 02.06.1998 Për miratimin e uniformës dhe të stemës së Policisë, që është shfuqizuar dy herë. Më parë me VKM nr.592, datë 2.11.2000 Për miratimin e flamurit dhe të Stemës së Policisë së Shtetit, pika 3 e VKM nr.332 (dispozitat që bëjnë fjalë për stemën e policisë shfuqizohen). Së dyti me VKM nr.236, datë 23.04.2004 Për miratimin e uniformës dhe të shenjave të Policisë së Shtetit, pika 5 e këtij vendimi.

VKM nr.79, datë 21.01.2009, harron të shfuqizojë VKM nr. 638, datë 21.11.2001 Për një ndryshim në vendimin nr.64, datë 02.02.2001, të Këshillit të Ministrave, Për inkuadrimin e Gradave Ushtarake në Gradat e Policisë së Shtetit dhe përcaktimin e funksioneve që do të ushtrohen sipas tyre, pika 5 e këtij vendimi, lidhja nr.2 (Forma dhe ndërtimi i Gradave të Policisë së Shtetit).

Dhe, si mund të presësh realizimin me cilësi të uniformave të reja dhe të shenjave të Policisë së Shtetit të miratuar me VKM nr.79, datë 21.01.2009, kur vetë ky vendim është përgatitur pa cilësi. I thurur e ndërthurur, i ndërtuar dhe i ngatërruar me lloj-lloj ngjyra tura leshi (vendim Qeverie lesh e li).

Gjithashtu VKM nr.79, datë 21.01.2009, për miratim të uniformës, stemave, shenjave, etj., që nuk gjejnë mbështetje ligjore për miratimin e tyre, por dhe nga mënyra sesi është formuluar ky vendim që lë shteg për abuzim, me siguri do të prodhojë dëm moral e financiar, sepse mund të blihen objekte apo artikuj të uniformës të pa miratuara, të pa normuara?

Ish- specialist i veshmbathjeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›