E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkesa për CV: Duhet me qenë injorant i dhunshëm


Nga Alban Sejdini*

A e keni vënë re se çfarë fytyrash kanë shumica e atyre burrave e grave, që ngasin makinat më të shtrenjta në Shqipëri? Nga ai soj që rrezaton gjithçka përveçse dijen, kulturën e formimin profesional, që do të shfaqte fytyra e një perëndimori, i cili në të njëjtat automjete ulet vetëm prapa shoferit. Pikërisht, këto fytyra made in Albania ngjasojnë me ato të disa ministrave, ish-ministrave, deputetëve, sekretarëve të përgjithshëm, drejtorëve, drejtorucëve e drejtoreshkave në të gjitha institucionet e kësaj republike bananesh. Kjo ngjashmëri, e përkthyer në formim intelektual e profesional, ka në thelb injorancën si pikë të parë të përbashkët. Kjo nuk ndodh prej mungesës së shkollimit, sepse jo më kot kanë dhënë apo marrë leje, licenca e akreditime për një qerre me universitete private. Pika e dytë, ku bashkohen fytyrat e ikspesave apo të rejnxhave me ato të shtetarëve tanë, është sundimi me metoda feudale në çdo fushë e sektor të aktiviteteve të këtij vendi. Për shkak të ngjizjes së rrezikshme të këtyre pikave të përbashkëta brenda strukturave shtetërore lindi injoranca me tipare të dhunshme, që po konsiderohet tashmë si një kërkesë e domosdoshme në CV, për të fituar vendin e punës apo postin në shtetin shqiptar.

Nëse këtu në Shtetet e Bashkuara është konsoliduar ndër shekuj në publik e privat sistemi, që favorizon daljen në pah të aftësive individuale, të cilat shpërblehen vetëm me përparim në karrierë, pagë e rrjedhimisht pushtet, krejt e kundërta ndodh në Shqipëri. Gjatë viteve të komunizmit ndodheshim në situatën e një barazie të imponuar, ku i paafti ishte gjithsesi përjashtim në rregullat e mirëpërcaktuara. Në këto vite të pafundme tranzicioni, shqiptarët dergjen nën një gjendje të imponuar prej një qeverisjeje të injorantëve, nga injorantët dhe për injorantët. Intelektualët, të përgatiturit dhe të ndershmit duhet të kërkojnë e përfitojnë statusin e minoritetit, që të mbrohen me projekte donatorësh ndërkombëtarë, sepse po diskriminohen e keqtrajtohen më tepër se homoseksualët, romët apo gratë në zonat rurale. Tashmë, një profesionist shqiptar i aftë, ose të paktën i përkushtuar ndaj detyrës, përbën përjashtimin dhe jo rregullin në aparatin shtetëror. Kjo na shtyn, që të habitemi për mirë, kur na bie halli të kemi të bëjmë me një nëpunës administrate, që di se çfarë flet, shkruan e sqaron. Në një vend, ku do të çuditeshim nëse doktori në spitalet shtetërore na kryen një shërbim mjekësor pa na kërkuar ca euro, me apo pa stil, këto lloj ndjesish personale janë gjithashtu rregull dhe jo përjashtim.

Injorantët dhe të paaftët ekzistojnë kudo në botë, sepse industria e përpunimit njerëzor do të prodhojë domosdoshmërisht përveç një shumice produktesh sipas standardeve të pakorruptueshme, edhe një përqindje të vogël mbetjesh që e kanë prejardhjen nga procesi i përpunimit. Këto mbetje përfshihen në procesin e riciklimit profesional dhe vihen shkallë-shkallë, sipas cilësisë, në shërbim të shoqërisë përkatëse. Problemi në Shqipëri është, se kjo industri prodhon tek-tuk ndonjë produkt cilësor, shumë produkte sipas standardeve të ikura në drejtim të paditur dhe jashtëzakonisht shumë mbetje. Me një proces përpunimi kaq deficitar bëhet i pamundur riciklimi i plotë i të gjitha mbetjeve, që rrjedhimisht do të fillojnë të shiten për produkte me standarde për të mbuluar mangësitë në sistem. E thënë ndryshe, injorantët dhe të paaftët në vendin, që dikur kishte edhe shqiponja, po shtohen më shpejt se indianët e kinezët marrë së bashku, sepse po çiftohen me injorantët dhe të paaftët në drejtimin shtetëror. Duke i pasur krahët e ngrohta prej mbrojtjes nga injoranti i madh, injoranti i vogël fillimisht do të ngulë mirë këmbët, e pastaj do të sillet si feudal i qëmotit ndaj të gjithë atyre, që i konsideron si palë e kundërt brenda të njëjtit mjedis, sepse i rrezikojnë benefitet e kollajta. Administrata shtetërore shqiptare është shembulli më tipik, sepse aty do të gjendet gjithmonë ndonjë që bën punën duke duruar me dhimbje dhe ndoca që dredhin zinxhirin e mburren se kush e dredh më gjatë e pa ndërprerje. Përveçse ti falet pamjes triumfuese, ai i punës duhet edhe që ti bindet pa kushte atyre të zinxhirit, përndryshe i dërgohet letra për shkarkim me motivacion të shkruar në sudanezçe.

Ndoshta është paragjykim, por duke e konsideruar si majën e ajsbergut, që nga fytyra nis dallimi midis një intelektuali dhe një injoranti në çdo fushë e sektor të jetës në Shqipëri. Për sa kohë një injorant mbeten vetëm në timonin e makinave të shtrenjta, kjo nuk do të jetë edhe aq shqetësuese, sepse ndodh edhe në Perëndim. Problemi lind e degjeneron, nëse nga timoni i makinave luksoze injoranti kalon në timonin e institucioneve shtetërore, gjë që nuk para ndodh në Perëndim. Edhe sundimi feudal i një injoranti në mikro-kozmosin familjar e shoqëror nuk është njëlloj i rrezikshëm me sundimin feudal të njëjtit injorant në makro-kozmosin shtetëror, sepse lloji i parë është i shërueshëm, i dyti jo. Injoranca me tipare të dhunshme është tashmë karakteristika kryesore e funksionarëve të shtetit të sotshëm shqiptar, kur maksimumi mund të ishte i asaj pakice të popullsisë, që nuk e bën rrugën e Zvicrës për të parë malet e për të ngrënë çokollatë. Kjo shtresë ka zgjedhur injorancën, sepse nuk i duhet formimi intelektual për atë punë. Për të punuar e drejtuar në aparatin shtetëror nevojitet formimi më i mirë i mundshëm, sepse kjo do të bënte ëndrrën amerikane realitet në Shqipëri. Në kushtet aktuale, ku shembull i suksesit janë injorantët që po e mbajnë vendin tonë më të pushtuar se romakët e osmanët marrë së bashku, nuk është zgjidhje për pakicën, që të bëhet injorante, por thjesht të sillet si e tillë deri sa të vendosë për tu zgjuar nga ky makth.

*Rubrikën Made in Albania të autorit mund ta lexoni çdo të premte në Shekulli dhe Shekulli Online

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›