E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reformimi i sistemit politik, ose pluralizmi i dytë

SERVET PELLUMBI
Me krizën e zgjatur që ka përfshirë vendin, sidomos pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 dhe refuzimit për dy vite, njëri pas tjetrit, të statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE,  klasa politike duhet të merret seriozisht me moderimin e kaosit partiak për ta bërë pluralizmin politik një sistem të pranueshëm e funksional, për tu hapur rrugë reformave edhe në fusha të tjera. Si fillim ka rëndësi të kuptohet se integrimi në BE, ndër të tjera, do të thotë që të integrohemi në mënyrën e të menduarit, në sjelljen dhe shkallën e përgjegjshmërisë së qytetarit europian, që përfshin pranimin e tjetrit dhe solidaritetin me të. Më tej, që të integrohemi në mënyrën e bërjes së gjërave, të zgjedhjeve, të qeverisjes, të raporteve mes partive, mes partive dhe shtetit, shtetit dhe shoqërisë civile etj., njëlloj siç kërkohen nga standardet e njohura të Europës së bashkuar.
Kjo është rruga e pjesëmarrjes së të gjithëve: e partive, e institucioneve, e qeverisë, e shoqërisë civile dhe deri e qytetarëve të thjeshtë, në procesin e zhvillimit tonë të brendshëm, pa të cilin nuk mund të flitet as për integrim me dinjitet në BE. Kjo nuk po ndodh, sepse politika bën të kundërtën, nuk merret me formimin e vullnetit të përgjithshëm, me kohezionin social dhe me integrimin e opinionit publik, por kryesisht me sherre, grindje, me luftëra pa bukë me njëra-tjetrën, pa përjashtuar as ato brenda vetvetes që tronditin rëndë ekuilibrat shoqërorë. Mbetet për tu sqaruar përfundimisht: kjo vjen nga padija, apo pas veprimeve të tilla ka interesa të tjera, korruptive e klienteliste?
Përsa i takon padijes, të cilën nuk e besoj se ka ndonjë rol të ndjeshëm, po i referohem një modeli pozitiv e konkret, që nuk është i vështirë për tu njohur e kuptuar. Ambasadori i Danimarkës në Shqipëri, në një ligjëratë të mbajtur në konferencën Perspektiva Europiane e Shqipërisë (27 tetor 2011), duke krahasuar mënyrat e bërjes së gjërave në Danimarkë dhe në Shqipëri, ceku një të vërtetë të hidhur për ne, por reale. Në fjalën e tij, realiste dhe dashamirëse, Karstenan Kjaer Jansen tha: Unë jam danez dhe kur e konsideroj se me çfarë janë bekuar shqiptarët, nuk arrij vërtet ta kuptoj se si Shqipëria nuk është në ballë të BE. Kam dëgjuar që politikanët shqiptarë i referohen Danimarkës si shembulli i shkëlqyer i asaj që mund të realizohet. Por, nga pikëpamja ime, është e vështirë të kuptoj se përse Shqipëria nuk është përpara Danimarkës. Ju keni qenë me fat me natyrën, burimet, klimën etj. Dhe shqiptarët nuk janë më pak punëtorë dhe të zgjuar se danezët. Më tej ambasadori duket se i gjen përgjigjen çështjes së shtruar si më poshtë: Mendoj se një shpjegim është se danezët mendojnë dhe veprojnë si një komb, si një popull. Shqiptarët veprojnë si individë, ose si anëtarë të familjes. Gjatë historisë, – vazhdoi ai, – ne danezët kemi mësuar se duke vepruar si një komb mund të përfitojmë duke ngritur standardin tonë kolektiv të jetesës, duke përmirësuar shanset e gjithkujt për sukses. (Shekulli, 2011.10.29).
Të rikthehemi te rasti ynë. Shtrohet përsëri çështja: çduhet bërë me pluralizmin politik, që edhe pas 20 vjetësh nuk është formësuar si sistem që të veprojë në interes të kombit dhe të popullit? Po e them që në fillim të përgjigjes se duke u marrë për një kohë të gjatë me temën e pluralizmit politik, kam arritur në një përfundim disi radikal: Ajo që shpëton pluralizmin vret partitë, prandaj kam shtruar idenë e një pluralizmi të dytë për ti dhënë fund një hiperrealiteti të fragmentuar në të cilin çdo gjë është e ankthshme dhe sipërfaqësore, siç do ta karakterizonte një realitet të ngjashëm filozofi francez Jean Boudeillard. Në këtë vështrim na duhet të pranojmë se Shqipëria nuk mund të quhet realisht një vend me sistem politik pluralist, edhe pse prej 20 vjetësh kemi shumë parti (rreth 90) dhe vazhdojnë të krijohen të reja!
Çështë e vërteta, u arrit një lloj ndërgjegjësimi për nevojën e reformimit të modelit tonë të pluralizmit politik, para dhe në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Veçse u ndoq një rrugë e gabuar, që e futi sistemin politik në një krizë më të thellë. Kjo sepse, së pari, u ndryshua Kushtetuta pa kriter, gjë që favorizonte njërën palë (prill 2008); së dyti, se nuk u zgjodh varianti më i përshtatshëm i sistemit zgjedhor që zëvendësoi të mëparshmin; së treti, se dy partitë e mëdha, për të fituar sa më shumë vota në raport me kampin kundërshtar, pra dhe maxhorancën për të qeverisur, tërhoqën gati 40 parti të vogla në koalicionet Aleanca për qytetarin (PD) dhe Aleanca për të ardhmen (PS), prej të cilave u përfaqësuan në Kuvend vetëm katër parti të vogla me gjithsej 10 deputetë.
Në vijim, pazari i radhës i PDsë me LSI-në, që i kërkoi votat elektoratit të majtë për të larguar Berishën, i plotësoi atij shumicën, pra i dha dhe të drejtën PD-së për të qeverisur me legjitimitet të dyshimtë. Përsëri preferenca për gjahun e votave, etja për pushtet dhe dominim, i denatyroi koalicionet, e zhbëri nevojën dhe vetëdijen për reformim të pluralizmit politik. Reformimi i tij, apo ardhja e një pluralizmi të dytë, përsëri u bllokua. Ideja feudale e elitave të përhershme, secila në domenin e vet dhe me forcat e gatshme për luftë, vazhdon në trajtën e partive dhe klaneve, që duken ca majtas, ca djathtas, secila në llogoren e vet, pa dhënë e pa marrë me njëra-tjetrën, sikur të ishin armike për jetë a vdekje. Kjo e varfëroi më tej demokracinë shqiptare dhe na bën të gjithëve njeriun e çuditshëm të Ballkanit, sipas shprehjes së ambasadorit danez, Jansen.
Ndërkohë, po të abstraktojmë nga e gjithë kjo, madje edhe nga deformimi që solli mënyra e aplikimit të  ligjit të ri të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, përfaqësimi i dy partive të mëdha me numra gati të njëjtë deputetësh dhe i katër partive të vogla për një  rol ekuilibrues në Kuvend, mund të quhet një hap drejt krijimit të sistemit politik dhe të një pluralizmi të moderuar, si ai që haset në shumicën e vendeve të Europës. Pas kësaj do të duhej të ecej më tej drejt një ligji të ri për partitë me kërkesa më rigoroze, sidomos për të krijuar mekanizma të kontrollit permanent, parlamentar dhe exparlamentar ndaj partive, konkretisht për të parë shkallën e fiktivitetit të numrit të anëtarësisë që duhet të raportojnë partitë çdo vit, të burimeve të financimit, duke u dhënë të drejtën kontrolluesve që të propozojnë deri dhe çregjistrimin, sipas procedurave ligjore, të partive që nuk plotësojnë standardet dhe që në proces kanë humbur një apo disa nga kushtet për të qenë parti dhe pjesë të një sistemi politik pluralist.
Në vijim do të shtoja se duke e shtruar kaq prerë një aspekt të tillë të problemit nuk kam për qëllim të radikalizoj çështjen e përjashtimit të  disa partive dhe liderëve për të favorizuar disa të tjerë, por të nënvizoj se pjesë e reformimit duhet të jenë të gjitha partitë, pa përjashtim, të vogla dhe të mëdha; se partitë e vogla posaçërisht duhet të gjejnë rrugën për tu bërë më të mëdha e më të rëndësishme duke krijuar bashkime, shkrirje, ridimensionime të programeve e të  alternativave të tyre, që të aftësohen për të shtruar ide dhe iniciativa të reja, ndryshe ska pse të jenë dhe të presin që partitë e mëdha ti ftojnë në sofrën  e vet dhe të mbeten pa gjë, siç ka ndodhur shpesh, por sidomos pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2011.
Ndërkohë, është për të ardhur keq që ende vazhdon rutina e pluralizmit që i ka ikur koha, i aleancave pa bosht, apo, siç quhen rëndom, i aleancave koti dhe që nuk po shohim lëvizje dhe iniciativa të reja drejt një pluralizmi të dytë, që duhet të ketë në themelin e vet, jo format e reagimit spontan, por partneritetin, dialogun dhe bashkëpunimin për interesat madhore të qytetarit, të kombit dhe të mirëqenies së popullit. Koha dhe reagimi politik e qytetar kërkojnë, një

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›