Injoranca që po trashëgohet
Saba Lama / Specialist në Zyrën Arsimore Krujë
Vlen të kujtojmë shprehjen që përdor populli “Injoranca është burimi i gjithë të këqijave”. Pa dyshim këtë thënie e ka vërtetuar praktika e jetës në ç’do kohë. Por mendoj se në ditët e sotme dukuria e injorancës te ne, për dimensionin që ka marrë dhe mënyrën se si po reflektohet është bërë termi që po lakohet dhe komentohet më shumë. Pa dyshim dukuritë e injorancës reflektohen te njerëzit e paformuar dhe të pa arsimuar, pa nivel dhe pa kulturë. Dikush edhe mund të thotë se elementët injorantë janë prezentë kurdoherë në shoqëri, pasi e gjithë shoqëria nuk mund të jetë me të njëjtin nivel. Natyrisht argumenti është i pranueshëm, por mendoj se e keqja e reflektimit të kësaj dukurie te ne ka të veçantat e saj, që janë rrjedhojë e prurjeve të kohës dhe e zhvillimeve jo normale që ndodhën gjatë tranzicionit të përjetuar. Nisur nga formimi, kultura dhe arsimimi që kanë, prania e elementëve injorantë reflektohet në variante të nivele të ndryshme. Në këtë drejtim përmendim: Elementë injorantë, që duke përfituar nga situata janë pasuruar me rrugë abuzive dhe të pamerituara, madje kanë arritur të bëhen edhe pronarë e biznesmenë të fuqishëm që s’duan t’ia dinë askujt pavarësisht nivelit që kanë. Elementë injorantë që kanë arritur të marrin edhe pozicione e poste drejtuese të pamerituara. Kjo prurje diktohet nga emërime në kritere thjeshtë par-tiake pa marrë parasysh profesionalizmin. Prania tepër e ndjeshme e injorancës në moshën e adoleshencës (brezit të ri ). Kjo masë përjetohet në shkolla dhe më tepër tek ata fëmijë që kanë mbetur të pa shkolluar. Po cilat janë të këqijat që po na sjellë prania e kësaj mase elementësh injorantë ? Po shkelen apo po deformohen ligjet, normat dhe rregullat shoqërore në jetën e përditshme nga mungesa e rofesionalizmit. Po prezantohen në poste drejtuese, mënyra drejtimi me gjuhën e dhunës, arrogancës dhe prepotencës, duke shfrytëzuar pozicionin dhe pushtetin që kanë. Po reflektohen konflikte sociale dhe krime të natyrave nga më të ndryshmet. Mungon etika e sjelljes në raportet me të tjerët. Në këtë drejtim nga elementë të moshave të ndryshme po përjetohet një sjellje jashtë normave të edukatës njerëzore që ku mund të përmendim fjalorin banal gjatë komunikimit, të folurit me zë të lartë në rrugë e mjedise sociale, lëvizjet e makinave duke shkelur normat dhe rregullat e qarkullimit, ngacmimet seksuale, e të tjera dukuri të papranueshme. Ajo që dua të nënvizoj është se prania e elementëve injorantë me pasojat që po na sjellin në jetën e përditshme, duhet parë si një shqetësim dhe përgjegjësi serioze jo vetëm nga organet dhe institucionet shtetërore, por nga e gjithë shoqëria jonë, për ta kufizuar dhe parandaluar prezencën e tyre, aq më tepër se ata për nga numri po shtohen nga dita në ditë.