E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrihte 2 fëmijët se donin të jetonin me nënën, në pranga babai

Merren në mbrojtje të miturit motër e vëlla në Korçë
dhuna ndaj te miturveKorçë/Dhuna në familje duket se ka marrë forma të jashtëzakonshme duke mos kursyer kohët e fundit as fëmijët e mitur. Një 41 vjeçar nga Korça, baba i dy fëmijëve i ka kërcënuar se do i vriste vajzën dhe djalin e tij të mitur nëse ata do të zgjidhnin nënën e tyre për të jetuar. Ngjarja dramatike ka ndodhur në lagjen nr. 17 të qytetit të Korçës dy ditë më parë. Fëmijët motër dhe vëlla, të moshave 11 dhe 14 vjeç, janë ankuar tek nëna e tyre se babai i kishte keqtrajtuar dhe kërcënuar psikologjikisht, pasi ata dëshironin të shkonin tek ajo. Gruaja ishte në proces divorci me bashkëshortin për shkak të dhunës që ai ushtronte dhe strehohej gjatë kësaj kohe tek të afërmit e saj. Policia e Korçës konfirmoi dje ngjarjen dhe bëri me dije se procedoi penalisht në gjendje të lirë të dyshuarin me inicialet A. M., 41 vjeç. Emri i tij nuk u publikua i plotë për shkak edhe të sigurisë së fëmijëve të mitur.

Ngjarja
Oficerët kanë lëshuar menjëherë urdhrin e mbrojtjes për të miturit motër e vëlla, ndërsa më parë kishin marrë në mbrojtje fizike dhe ligjore nënën e tyre po për shkak të dhunës. Vetë vogëlushët i kanë rrëfyer policisë se gjatë kohës që nëna e tyre ishte larguar, babai u bënte presion, fyente, godiste me grushte dhe kërcënonte me jetë. Shkak ishte dëshira e fëmijëve për të jetuar me nënën dhe jo me 41-vjeçarin. Policia konfirmoi se çifti i bashkëshortëve është ende nën proces divorci që ka nisur në fillim të këtij viti me kërkesë të gruas 35-vjeçare. Gjatë martesës çifti kishte sjellë në jetë një vajzë dhe një djalë. Por mosmarrëveshjet e vazhdueshme të bashkëshortëve edhe për shkak të xhelozisë, ekonomisë dhe të tjera shkaqeve, kanë çuar deri në dhunë fizike dhe kërkesë për divorc në Gjykatën e Korçës. Sipas ligjit, vetë fëmijët janë të lirë të zgjedhin se me cilin prej prindërve do jetojnë nëse janë në një moshë ku mund të përgjigjen e të zgjedhin.
Dhuna në familje
Por ky nuk ka qenë i vetmi rast i dhunës në familje. Pasi Policia e Shkodrës njoftoi dje se ka marrë në mbrojtje dy gra që keqtrajtoheshin nga burrat që do të jenë nën akuzë. Edmond Dedaj, 46 vjeç, banues në lagjen Vasil Shanto, u ndalua për dhunë fizike ndaj bashkëshortes D. Dedaj, 40 vjeçe dhe Bardhok Paloka, 41 vjeç, banues në fshatin Kryezi, Pukë, për keqtrajtim të gruas T. Paloka, 40 vjeçe. Dy ditë më parë në Durrës, lagjja ish-Kënetë, gruaja 30-vjeçare Leonora Zaçellari, plagosi me pistoletë bashkëshortin 36-vjeçar Përparim Zaçellari pasi e keqtrajtonte vazhdimisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›