KMDLNJ kërkon dënim për dëmtuesit e varrezave

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka dënuar dëmtimin e varrezave serbe. Sipas KMDL-së është e natyrshme që të kundërshtohet politika diskriminues serbe pas heqjes së lapidarit në Presheve, por qytetarët nuk duhet vepruar në këtë mënyrë të dhunshme.
KMDLNJ i dënon fuqishëm këto veprime dhe kërkon nga qeveria dhe autoritet në Prishtinë që të dënojë ata që kanë dëmtuar këto varreza, por edhe të bëjë financimin e riparimit të tyre. Po ashtu KMDL-një bënë thirrje që të hetohen dhe policët e Kosovës për mosreagim.
“KMDLNj dënon dëmtimin e varrezave serbe duke kërkuar hetime të shpejta dhe dënimin e atyre që i dëmtuan këto varreza. KMDLNj kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës që urgjentisht t’i ndajë mjetet e nevojshme financiare për riparimin e varrezave të dëmtuara serbe dhe kërkon që deri në përfundim të hetimeve të mos paragjykohet as motivi e as kryerësit e këtij veprimi imoral. Dëmtimi i varrezave të serbëve në rastin konkret por edhe të tjerëve është veprim i ulët që nuk përkon me traditën e popullit shqiptar, nuk ka të bëjë fare as me politikë dhe patriotizëm por thjesht është një veprim kriminal dhe si i tillë duhet të dënohet nga të gjithë”, thuhet në komunikatën KMDLNJ-së.
Ndërsa më tej thuhet se, pas rrënimit të përmendores në Viti, KMDLNj e bënë përgjegjëse Policinë e Kosovës dhe kërkon hetime nga Inspektorati Policor i Kosovës.
KMDLNj thërret publikisht që të mos manipulohet me situatën, pasi nuk mund të përfitohet kurriz të lapidarëve dhe varrezave.
Lidhur me heqjen e lapidarit ka reaguar edhe Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili këtë veprim e ka quajtur si akt të padrejtë dhe në kundërshtim me vlerat qytetëruese perëndimore, sikurse edhe veprimet për dëmtimin e varrezave ortodokse janë veprime të papranueshme dhe në kundërshtim me parimet fetare.
“Heqjen e Lapidarit të Dëshmoreve në Preshevë nga ana e qeverisë serbe e konsiderojmë një akt të padrejtë dhe në kundërshtim me vlerat qytetëruese perëndimore, duke shkelur të drejtat e popullit shqiptar për të kujtuar dëshmorët e tyre”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Bashkësia Islame e Kosovës.
Myftiu Tërnava po ashtu ka reaguar edhe ndaj dëmtimit të varrezave ortodokse duke thënë se dëmtimi i varrezave ortodokse, është veprim i papranueshëm dhe në kundërshtim me parimet fetare e kombëtare si dhe me traditën pozitive të feve tradicionale.
Dëmtimin e varrezave e ka dënuar edhe Aleanca Kosova e Re./Indeksonline/