E Diel, 1 Nëntor 2026

Inovacionet në fotografi, fitime të mëdha në Gjermani

Kamera klasike është në rënie, fotografitë sot bëhen me celular apo me smartphone. Inovacionet në fushën e fotografisë prezantohen në Photokina në Këln, panairi më i madh i fotografisë në botë.

Sipas parashikimeve aktuale konsumatorët privatë dhe profesionistët do t'i sjellin industrisë së fotografisë dhe të filmit në Gjermani për vitin 2012 një fitim prej mbi 20 miliardë euro. Nga kjo shumë vetëm në sektorin privat fitimet shkojnë në rreth 17,5 miliardë euro. Biznesi me aparatet e fotografimit dhe pajisjet përkatëse si dhe me aparaturat dhe programet për përpunimin e fotografive po lulëzon.

Sot ne kemi një larmi ofertash dhe produktesh si me siguri në asnjë lloj industrie tjetër. Le të marrin si shembull vetëm prirjet aktuale të tilla si fotografimi me celular, appset, cloud, filmi, apo fotografitë interaktive apo living picture..." thotë Christian Mueller-Rieker, drejtor i Shoqatës së Industrisë fotografike.

Larmia e rrjeteve dhe rrjetet sociale si dhe pajisjet e reja i garantojnë sipas tij potenciale të mëdha dhe në rritje kësaj dege. Për shkak të mbivendosjes së teknologjive dhe mediave të ndryshme, kufijtë midis tregjeve të veçantë janë të rrjedhshme dhe çojnë në një zgjerim të tregut të fotografive.

Ky treg gjithashtu përfiton nga atmosfera e mirë e ekonomisë gjermane, tregu i fuqishëm i punës dhe të ardhurat e mira - të gjitha këto nxisin konsumin privat, mendon Müller-Rieker. Photokina 2012, me risitë e saj të shumta, do t'i japë impulse të rëndësishme dhe stimuj shtesë kërkesave për këtë industri.

Fitimet nuk shtohen vetëm nga shitja e produkteve por edhe prej reklamave që ofrohen përmes aplikacioneve për celular. Sipas parashikimeve të ekspertëve të tregut aplikacionet për telefoninë mobile pritet të arrijnë në mbarë botën për vitin 2015 një shumë prej 100 miliard dollarë. Në Gjermani në vitin 2011 u shënua një qarkullim prej 200 milionë eurosh - në vitin 2012 pritet që ky të arrijë në 350 milionë euro. Se çfarë përqindje ka në këtë mes industria e fotografisë nuk mund të thuhet me saktësi, sepse ky sektor përfshin elemete nga fusha të ndryshme industriale, si p.sh. rasti i smartphone.

"Smartphone përdoren si kamera që e ke gjithmonë me vete dhe garantojë vlera të re fitimi, sikurse edhe fotografitë me celular dhe rrjetet sociale që ofrojne dhe sjellin shërbime të reja. Për t'i matur vlerat e fitimit, në këtë lloj pasurie ofertash që ka në fushën tonë, është thjesht e pamundur."

Përveç aparateve fotografikë fitime të mëdha sjellin edhe produke të tilla si albumet fotografikë individualë. Që në kohën kur u hodhën në treg në vitin 2005 këto kanë arritur sot shitje të larta. Vetëm në vitin 2011 janë shitur 6,4 milionë albume të tilla, kjo përbën një rritje prej më shumë se 12 për qind gjatë vitit të kaluar.

Shpresa të mëdha kjo industri ka tek action cam një kamera e cila mund të përdoret për të filmuar aktivitete sportive në natyrë, sepse ajo mund të fiksohet në helmetën e motorçilektës apo në skateboard. Në vitin 2012 janë shitur deri tani 150.000 kamera të tilla.

Photokina zhvillohet çdo dy vjet në Këln. Këtë vit nga 18 deri në 23 Shtator. Në të marrin pjesë rreth 1.160 firma nga 41 vende të botës. 200 do të jenë vetëm nga Kina. Përveç prodhuesve të kamerave dhe smartphone në qendër të panairit është edhe transmetimi i fotografive pa kabull

(a.k/dw/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›