E Diel, 1 Nëntor 2026

Masakra e Levanit, policia zbardh pas 15 vitesh ngjarjen, gati fletë-arrestet

FIER- Policia e Fierit zbardh pas 15 vitesh masakrën e Levanit ku mbetën të vrarë 21 persona. Pas hetimeve intensive të kryera përgjatë një viti, u bë e mundur identifikimi i disa prej autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë të ndodhur gjatë trazirave të vitit 1997. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Fierit bëjnë të ditur se është bërë e mundur kopsitja e dosjes së vjetër me prova, fakte dhe dëshmi të marra nga dëshmitarë okularë të kësaj masakre. Mësohet se shumë shpejt prokuroria e këtij rrethi do të presë fletëarrestet për 5 nga autorët e krimit, pasi dyshohet të ketë dhe bashkëpunëtorë të tjerë në masakrën e Levanit. Dosja u rihap një vit më parë, ndërsa nisën hetimet në kuadër të zbardhjes së ngjarjeve të vjetra. Mësohet se hetimet u iniciuan pas emërimit në policinë e Fierit të Ilir Sulës, i cili mban postin e nëndrejtorit në dikasterin e bluve. 

"Rihapja e kësaj dosje ka qenë në kuadër të plandetyrës për zbardhjen e ngjarjeve të mbetura pa autor. Momentalisht kemi 5 persona të dyshuar si autor të masakrës, për të cilët do të priten fletë-arrestet. Këta persona ndodhen prej vitesh në emigracion. Ata do të vihen në pranga dhe do të përballen me drejtësinë", - shprehen burimet nga policia lokale. Mësohet se rihapja e dosjes në fjalë hodhi dritë mbi motivet dhe autorët e masakrës së ndodhur më 28 Maj të vitit 1997 në fshatin Levan, ku nga përleshja me armë mes bandave të njohura të asaj kohe u ekzekutuan 21 persona. Ndonëse kanë kaluar 15 vjet, 4 prej viktimave janë ende të paidentifikuar. Një vit më parë, kohën kur nisën hetimet për masakrën e Levanit në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Fierit u shoqëruan dhe u morën në pyetje rreth 40 persona, kryesisht rom, banues në lagjen rome të Levanit. Rinisja e hetimeve për këtë ngjarje të tmerrshme bëri që ish-shefi i Anti-terrorit dhe Krimeve të Rënda në policinë e Fierit, Zigur Bixha të transferohej në të njëjtën detyrë në Drejtorinë e Policsë së Qarkut Berat, dhe në vend të tij të emërohej Bejkush Sina. "Transferimi i Bixhës erdhi edhe nga kërkesa e nëndrejtorit të policisë së Fierit, Sula, i cili nuk po gjente gjuhën e bashkëpunimit mes tyre për zbardhjen dhe kompletimin e kësaj dosje", - sqarojnë burimet policore.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›