E Shtunë, 31 Tetor 2026

Insistojnë për plan

Bashkësia ndërkombëtare po e rrit presionin ndaj Qeverisë së Kosovës që të hartojë një plan për veriun. Ambasadori francez në Kosovë, Jean – Francois Fitou ka kërkuar nga qeveria hapa konkretë dhe një plan, i cili ofron mundësinë e integrimit të pjesës veriore të vendit. Ndërsa Ministria e Brendshme e Republikës së Kosovës ka thënë se qeveria ka pasur një strategji për atë pjesë të vendit, por ajo do të rishikohet tani.

Diplomatë dhe ambasadorë të ndryshëm të shteteve perëndimore tashmë një vit e më shumë i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që të hartojë një plan për integrimin e pjesës veriore të Kosovës. Këtë kërkesë e përsëriti prapë të martën Ambasadori francez në Kosovë, Jean – Francois Fitou gjatë një vizite në qytetin e Gjilanit.

Fitou tha se Bashkimi Europian pret që Kosova të hartojë një plan për integrimin e veriut të Kosovës, plan i cili duhet të gjejë mbështetje nga të gjithë dhe të jetë i realizueshëm në terren.”Qeveria i është përgjigjur pozitivisht planit për veriun, por ende nuk kemi hapa konkretë. Ne presim dhe shpresojmë në këtë plan që të ofrojë mundësi për integrimin e veriut. Është koha tani që ky plan të bëhet dhe të gjithë e dimë se nuk është lehtë”, ka thënë Fitou. Ambasadori francez këtë kërkesë e kishte adresuar javë më parë gjatë një

interviste për Express.

Nevojën për një strategji për integrimin e pjesës veriore të Kosovës e ka shprehur edhe Përfaqësuesi Special i BE’së në Kosovë, Samuel Zbogar. Ditë më parë, Zbogar pat thënë se qeveria duhet që sa më parë të hartojë një plan se si t’i qaset veriut të Kosovës.

Sipas Zbogar, plani duhet të hartohet sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë që të niset një dialog i mirëfilltë me popullatën serbe të veriut. Ndërsa në Ministrinë e Punëve të Brendshme thonë së Kosova tashmë për një kohë ka një strategji për veriun, porse kjo strategji do të rishikohet për t’iu përshtatur më mirë rrethanave të krijuara.

Izmi Zeka, zëvendësministër i Punëve të Brendshme, duke iu përgjigjur kërkesës së Përfaqësuesit të BE’së për hartimin e planit për veriun, ka thënë se është moment i fundit që të merren hapa konkretë në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar në mënyrë që t’i jepet fund gjendjes së rëndë në veri.

Sipas Zekës, strategjia e Qeverisë së Kosovës për veriun duhet të rishikohet në atë mënyrë që të gjendet forma më e mirë për integrimin e qytetarëve të veriut.

“Qeveria e Kosovës edhe më herët e ka pasur një strategji për veriun, por duke pasur parasysh ndryshimet edhe në Kosovë edhe në rajon, ne do të shikojmë që atë strategji që e kemi pasur në një mënyrë ta rishikojmë dhe të gjejmë një mënyrë më të mirë dhe më të përshtatshme dhe që u përshtatet interesave të qytetarëve të Kosovës, natyrisht edhe të pjesës veriore”, tha Zeka.

Megjithëse një strategji për veriun ekziston tashmë, për Kryetarin e Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Ahmet Isufi, ajo kurrë nuk është zbatuar dhe për këtë arsye kërkohet një plan i realizueshëm për veriun.

Isufi ka thënë se duhet të ndërmerren masa të shpejta, në mënyrë që të mos lejohet që çështja e veriut të Kosovës të bëhet temë e bisedimeve me Serbinë apo me këdo tjetër.

“E dimë që ka pasur plan vetëm në letër, por nuk ka pasur plan veprues konkret që do ta ndryshonte gjendjen atje. Prandaj kërkesa është që të bëhet plani, i cili realizohet në terren dhe ndryshon pozitën e qytetarëve atje dhe integron veriun si pjesë territoriale të Kosovës”, tha Isufi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›