Nenet janë të këqija
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka vendosur t’ia kthejë në rishqyrtim Kodin Penal Kuvendit të Kosovës për shkak të neneve, që kanë të bëjnë me lirinë e medias.
Sipas Presidencës së Kosovës, nenet 37 dhe 38, të cilat u miratuan më 20 prill në Kuvendin e Kosovës bashkë me Kodin Penal, janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
“Presidenca vlerësoi se neni 37 dhe 38 i Kodit Penal janë në kundërshtim të plotë me nenin 40 dhe 42 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nene këto që rregullojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medieve si dhe me nenin 22, pika 2 e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që obligon përmbushjen e Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe protokollet e saj”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes të lëshuar të martën për media.
Këto dy nene kanë përplasur mediat kosovare dhe institucionet e vendit gjatë dy javëve të fundit.
Gazetarët kanë reaguar pas miratimit të këtyre dy neneve, duke thënë se ato cenojnë lirinë e medias.
Për këtë mediat edhe kanë protestuar para Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, derisa më 3 maj, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit edhe kanë bojkotuar aktivitetet e institucioneve kryesore në vend.
E pikërisht ata që mirëpritën këtë lajm ishin vetë gazetarët.
Bordi i Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës ka thënë se ky vendim shpëton lirinë e medias në vend.
“AGPK’ja vlerëson se me një vendim të tillë është shpëtuar liria e shtypit në Kosovë, e cila rrezikohej seriozisht nga përmbajtja e Kodit aktual”, thuhet në njoftimin e Bordit të AGPK’së.
Po ashtu ky asociacion ka kërkuar nga Parlamenti i Republikës së Kosovës si dhe nga subjektet politike që t’i pranojnë kërkesat e komunitetit të gazetarëve për riformulim të nenit 37 dhe 38 të Kodit të ri Penal, të miratuar më 20 prill të këtij viti.
Pozitivisht vendimin e Presidentes e kanë vlerësuar edhe përfaqësuesit e Bashkimit Europian në Kosovë. Samuel Zbogar tha se liria e shprehjes dhe e medias si një vlerë e rëndësisë kyçe për konsolidimin e demokracisë kosovare.
“Secilin vit ky fakt është theksuar në raportet e progresit për Kosovën dhe ne do të vazhdojmë të monitorojmë zhvillimet”, thuhet në njoftimin e Zyrës së BE’së.
Ai po ashtu ka thënë se me nenet aktuale në Kodin e ri rrezikohej liria e shprehjes, andaj edhe ka mirëpritur vendimin e Jahjagës për riformulim të tyre.
“Për më shumë, ato nuk janë në vijë me rekomandimet e Këshillit të Europës mbi lirinë e mediave dhe dekriminalizimin e shpifjes dhe fyerjes. Për këtë, unë fuqimisht mbështes vendimin e Presidentes Jahjaga për të kthyer këto provizione për rishikim në Kuvend”, ka thënë Zbogar.
Ai ndër të tjera i bëri thirrje Kuvendit të Kosovës që të adresojë këtë çështje në përputhje me ligjet dhe praktikat më të mira të BE’së.
Ndryshe, sipas nenit 37 dhe 38 të Kodit aktual të miratuar nga shumica e deputetëve të Kuvendit në prill të këtij viti, gazetarët bëhen përgjegjës për vepra penale dhe obligohen që të zbulojnë burimet e tyre.
Detyrimi që u bëhej gazetarëve për të zbuluar burimin e tyre u vlerësua si ngufatje e lirisë së shprehjes, e këtë të fundit përfaqësuesit e mediave në Kosovë e deklaruan si të panegociueshme me autoritetet vendore.
Në shenjë revolte për miratimin e këtyre neneve “ngufatëse”, drejtorë, redaktorë, gazetarë, kameramanë dhe fotoreporterë të të gjitha mediave kosovare dolën para dy jave para Parlamentit të Kosovës duke fishkëlluar në kërkim të lirisë së tyre të shprehjes.