Inspektime në Elbasan për sezonin turistik veror, ISHSH garanton siguri në 7 bashkitë e qarkut

Me nisjen e sezonit të ri turistik veror, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor në qarkun e Elbasanit ka filluar inspektimet në subjekte të ndryshme, përfshirë pishinat dhe ambientet akomoduese në të 7 bashkitë e qarkut. Deri më tani, situata paraqitet nën kontroll dhe nuk janë konstatuar shkelje që të çojnë në masa administrative. Sipas Drejtorisë së I.SH.SH, subjektet private kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar higjienë të pastër dhe ambiente të dezinfektuara, duke krijuar kushte të sigurta si për pushuesit vendas, ashtu edhe për turistët e huaj. Me rritjen e numrit të turistëve të huaj në këtë qark, janë shtuar edhe inspektimet në bashkëpunim me institucione homologe si Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), për të garantuar jo vetëm higjienën, por edhe sigurinë ushqimore në të gjitha subjektet e përfshira në sektorin turistik.
Drejtor i ISHSH në Qarkun Elbasan, Enver Shkurti ka bërë me dije se ISHH ka kryer të gjitha inspektimet e dezinfektimet e nevojshme, ndërsa shtoi se situata është nën kontroll.
“Ne kemi kryer të gjitha inspektimet në pishina e hotele dhe situata duket shumë e mirë. Janë kryer të gjitha dezinfektimet dhe higjiena në përgjithësi është shumë e kënaqshme. Ne si ISHSH punojmë me institucione homologe dhe situata është nën kontroll. Dua të theksoj se kujdesi duhet në ujërat e ndenjura, sikurse janë liqenet.”, tha ai.
Megjithëse situata është e qëndrueshme, drejtori i ISHSH Elbasan u bën thirrje qytetarëve dhe turistëve për kujdes gjatë frekuentimit të ujërave të liqeneve, veçanërisht atyre të ndenjura.
Inspektorati Shtetëror Shëndetësor në qarkun e Elbasanit prej disa vitesh është pjesë aktive e përgatitjeve për sezonin turistik, duke garantuar siguri për çdo vizitor që zgjedh Elbasanin për të pushuar.
/RTSH/