Ndërhyrje rrugore në Korçë – Rivishen me asfalt, apel qytetarëve të raportojnë problemet

Janë disa akse rrugore në qytet ku janë vërejtur dëmtime në pothuajse gjithë gjatësinë e tyre për shkak të ngricave të dimrit. Bëhet fjalë për rrugët “28 Nëntori”, “Fan Noli”, “Gjon Buzuku”, dhe “Kristaq Prifti” në të cilat janë krijuar gropa dhe amortizim i akseve duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve por edhe të këmbësorëve.
Pas evidentimit të rastit por edhe kërkesës së banorëve bashkia e Korçës nëpërmjet Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike po ndërhyn në këto rrugë duke bërë ri veshjen me asfalt në mënyrë që këto gropa të mos jenë më shqetësim për drejtuesit e mjeteve por edhe qytetarët.
“Ka gropa dhe duhen rregulluar, taksat merren”, u shpreh një banor.
Kjo është një ndërhyrje që ka nisur prej disa ditësh dhe do të shtrihet në të gjitha vendet e dëmtuara me qëllim riparimin e rrugëve.
Bashkia e Korçës i bën apel qytetarëve që të njoftojnë për çdo dëmtim apo problematikë që mund të hasin akset rrugore apo edhe pranë banesave të tyre në mënyrë që sa më parë të merren masa për zgjidhje.
Gazetare: Geralda Manushi
/rtsh.al/