E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inspektimi rihap dosjet ekonomike

22/03/2010 Shumë dosje të pezulluara do të kalojnë në skaner. Kanë mangësi dhe shkelje të rënda në vendimmarrje

TIRANE- Dosjet e pezulluara që kanë si natyrë aferat ekonomike të zyrtarëve të lartë, pritet të rihapen sërish. Këtë herë do të jetë njësia e përbashkët hetimore Task-Forcë, pranë Prokurorisë së Tiranës, e cila do të kryejë hetime lidhur me abuzimet e çështjeve si: Mbikalimi i “Zogut të zi”, çështja “Dinamo” dhe të tjera dosje me karakter ekonomik që kanë mbetur pezull në sirtarët e Prokurorisë. Shkak i kësaj mësohet të jenë bërë disa shkelje të kryera në këto dosje, shkelje që janë konstatuar edhe gjatë dy inspektimeve të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Drejtësisë. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë akuzës shqiptare, të cilat pohuan se si rezultat i praktikave të gabuara hetimore që janë ndjekur në këto çështje, dy raport-inspektimet kanë përcaktuar se në këto dosje duhet të kryhen hetime, për shkak se personat përgjegjës ende nuk kanë dhënë sqarime, ka shkelje të rënda procedurale, por dhe se dëmi financiar është tepër i madh. Shkeljet në dosjen e skandalit të “Zogut të zi” kanë bërë që ekspertët të lëshojnë sinjalin SOS, pasi në të janë gjendur abuzime të shumta, për sa i përket metodikës hetimore dhe administrimit të provave materiale. Mangësi janë gjetur edhe për sa i përket menaxhimit të deklarimeve dhe përllogaritjes së dëmit financiar, i cili në atë kohë u vlerësua më shumë se 1 miliard dollarë. Kjo çështje u kthye në një sherr të vërtetë mes Bashkisë së Tiranës dhe qeverisë së Kryeministrit Berisha, i cili sapo erdhi në pushtet akuzoi kryetarin Edi Rama se kishte abuzuar me fondet e bashkisë, për të ndërtuar mbikalimin e famshëm në kryqëzimin e “Zogut të zi”. Shumë shpejt ky mbikalim, i cili ende nuk ishte përfunduar dhe vënë në funksion të qytetarëve, u prish nga qeveria, e cila ndërtoi më pas rreth rrotullimin aktual. Ndërkohë që shkelje për sa i përket procedurave të ndjekura gjatë hetimit janë kryer edhe në dosjen “Dinamo”, ku zyrtarë vip të asaj kohë si ish-ministri i Brendshëm, Igli Toska, dhe ish-ministri i Financave, Anastas Angjeli, dyshoheshin se kishin falsifikuar dokumentet për shitjen e kompleksit sportiv “Dinamo”. Brenda në dosje janë shumë fashikuj, por nga këndvështrimi i inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë dhe atyre të Prokurorisë së Përgjithshme, ata në disa bien në kundërshtim me metodikën hetimore të ndjekur. Këto dy çështje janë planifikuar të rihapen, ndërkohë që shumë të tjera me natyrë financiare do të jenë në vazhdën e kësaj nisme, që do merret gjatë kësaj kohe nga Prokuroria e Përgjithshme. Burimet nuk përcaktuan periudhën kohore se kur mund të rifillojë hetimi për këto dosje, por shtuan se kjo gjë shumë shpejt do të ndodhë dhe se hetimi këtë radhë do i besohet prokurorëve të Task-Forcës që janë të specializuar për investigimin e dosjeve me karakter ekonomik. Gjatë analizave vjetore të kryera vitet e fundit është dalluar se Prokuroria e Tiranës ka shumë çështje të pezulluara që kanë si natyrë veprat penale me karakter krimin ekonomik, falsifikimin e dokumenteve dhe shpërdorimin e detyrës së zyrtarëve të lartë.

Faktet dalin në dritë

Inspektimi në Prokurorinë e Tiranës i pak muajve më parë nga Ministria e Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme ka nxjerrë në dritë një sërë dosjesh të pazbardhura, çka ka detyruar organin e akuzës ti rikthehet edhe njëherë rishikimit të akteve, për të gjetur mundësinë e rihapjes së hetimeve. Në skaner po kalojnë shumë dosje, ndërkohë që veprimet brenda tyre mësohet se do i besohen prokurorëve të njësisë së përbashkët hetimore Task-Forcë, që ndodhet pranë akuzës së kryeqytetit.

Skandali “Zogu i zi”

Skandali i mbikalimit të “Zogut të zi” mori përmasa të mëdha, pasi Bashkia e Tiranës ishte ajo që mbronte veprën e saj, ndërkohë që qeveria e Kryeministrit Berisha kërkonte shembjen. Në këto kushte mbi bazën e një kallëzimi penal, Prokuroria e Tiranës filloi hetimet, por pas disa kohësh çështja u mbyll dhe mbikalimi u shemb. Kundër prishjes së mbikalimit ishte shprehur edhe Gjykata Kushtetuese, e cila e cilësoi çështjen në dëm të taksapaguesve, pasi objekti deri në atë fazë ndërtimi kishte kapur një vlerë financiare rreth 1 miliard dollarë. Skandali mori përmasa akoma edhe më të mëdha, kur organi i akuzës i drejtuar nga prokurori Vexhi Muçmata urdhëroi pezullimin e dosjeve, duke mos marrë asnjë zyrtar të pandehur nga Inspektorati i Ndërtimit.

Dosja “Dinamo”

Kjo është një tjetër dosje, që ka mbetur pezull në sirtarët e Prokurorisë së Tiranës dhe që nga inspektimi ka rezultuar se ka pasur shumë shkelje për sa i përket administrimit të provave dhe përcaktimin real të përgjegjësisë së disa zyrtarëve Vip. Të implikuar në këtë çështje janë ish-ministri i Brendshëm Igli Toska dhe ish-ministri i Financave Anasatas Angjeli, i cili aktualisht është anëtar i Akademisë së Shkencave. Përtej këtyre emrave, në dosje janë edhe disa persona të tjerë të implikuar në falsifikimin e dokumentacionit të kompleksit sportiv “Dinamo”. Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se autorët kishin si qëllim të privatizonin kompleksin dhe më pas të përfitonin sipërfaqen tokësore, e cila i kalonte 1 hektarë. Dosja u mbyll dhe asnjëri prej të sipërcituarve nuk mbajti përgjegjësi penale.

Kontrolli i dosjeve

Vitin e kaluar një grup pune i Ministrisë së Drejtësisë ka kryer një inspektim në Prokurorinë e Tiranës, ku objekt i kontrollit kanë qenë plot 5 mijë procedime penale të regjistruara gjatë viteve nga ky organ akuze. Nga inspektimi i kryer, ministria nxori një raport me konkluzione ku kishte kapur me shkelje rreth 300 dosje, shumica e të cilave ishin me karakter ekonomik. Duke parë mangësitë profesionale dhe objektive të këtij raporti, Prokuroria e Përgjithshme urdhëroi inspektorët e saj që të kryenin kontrollin e 300 dosjeve të gjetura me shkelje nga ministria. Ekspertët e organit të akuzës konstatuan se në 50 procedime penale qëndronin pretendimet e Ministrisë së Drejtësisë dhe aktualisht këto procedime i janë dërguar për shqyrtim anëtarëve të Këshillit të Prokurorisë së Përgjithshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›