E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ligjet” do të diskutojnë modalitetet e hetimorit

22/03/2010 Komisioni parlamentar do të funksionojë pavarësisht mungesës së opozitës

Komisioni parlamentar i Ligjeve do të jenë “institucioni” që do të përcaktojë axhendën e komisionit hetimor parlamentar për transparencën e zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura në 28 qershor 2009, i cili u miratuar me votat e mazhorancës në seancën e 19 marsit. Ky komision, sipas deputetit të Partisë Demokratike Aldo Bumçi, do të mblidhet të martën dhe do të miratojë modalitetet e funksionimit të hetimit parlamentar. Këto modalitete, po sipas tij, parashikojnë transparencë të plotë, por që nuk do të prekin çështjet që janë zgjidhur me vendim gjykate. Në listën e modaliteteve përfshihet edhe përcaktimi i ditës së konstituimit të komisionit hetimor, proces i cili do të realizohet pavarësisht se “bojkotit” që grupi parlamentar i Partisë Socialiste do ti bëjë mbledhjeve të tij. Ligji për komisionet parlamentare parashikon mbledhjen e komisioneve hetimore vetëm me anëtarët e mazhorancës, dhe nën drejtimin e nënkryetarit në mungesë të kryetarit, që në këtë rast i është lënë opozitës. Komisioni i miratuar hetimor do të ketë 15 anëtarë në përbërje të tij. Nënkryetari i komisionit do të jetë i PD-së, ku është përcaktuar Ilir Rusmali. Gjithsej do të jenë 15 anëtarë të komisionit. Mazhoranca ka anëtarë në këtë komision Eduard Halimin, Enkelejd Alibeajn, Aldo Bumçin, Arenca Trashanin, Viktor Gumin, Edi Palokën të PD-së dhe Nasip Naçon e LSI-së. Në këtë mënyrë, Kuvendi ka vendosur ndryshe nga kërkesa e PS-së, ku shumicën do ta kenë të djathtët dhe jo të majtët. Ndërsa veprimtaria e tij, sipas ndryshimeve mbi ligjin për komisionet hetimore, të cilat u miratuan në seancën e fundit parlamentare, nuk do të jetë 24 muaj, siç opozita e kërkoi, por jo më shumë se 3 muaj. Sipas vendimit, “Komisioni ka të drejtë të hetojë dhe të bëjë transparencë të plotë për çdo çështje përveç çështjeve për të cilat ka vendime të gjykatave të vendit, janë në shqyrtim gjyqësor apo për të cilat është regjistruar kallëzim penal në prokurori. Objekti i hetimit duhet të jetë i argumentuar dhe duhet të përmbajë fakte ose kompleks faktesh, të cilët tregojnë qartë se për çfarë po hetohet”. Në seancën e fundit vetëm me votat e mazhorancës Kuvendi miratoi ngritjen e komisionit hetimor dhe më herët ndryshimin e ligjit për komisionet hetimore. Mazhoranca hoqi nenin që flitej për hapje kutish si dhe nenin që i jepte opozitës shumicën në komision.

Ligji për komisionet hetimore

Mbledhja e parë e komisionit thirret nga kryetari dhe zëvendëskryetari i tij jo më vonë se tri ditë nga data e marrjes së vendimit për krijimin e komisionit. Në mungesë të kryetarit të Komisionit hetimor, detyrat e tij kryhen nga zëvendëskryetari. Komisioni, në mbledhjen e tij të parë, zgjedh nga radhët e tij, me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve, një sekretar, i cili drejton çështjet administrative dhe teknike. Mbledhjet e komisionit janë të vlefshme kur në to merr pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve të tij. Raporti përfundimtar i paraqitet seancës plenare të Kuvendit brenda 7 ditëve nga data e marrjes së vendimit përfundimtar të komisionit. Kur raporti përmban të dhëna për ekzistencën e veprave penale, atëherë ai i dërgohet Prokurorit të Përgjithshëm për fillimin e çështjes penale

Transparenca e procesit

Kuvendi: Deputetja Hysi shpifi për tabelat e votimit

Drejtoria për Informimin e Publikut pranë Kuvendit të Shqipërisë ka reaguar dje lidhur me deklaratën e deputetes së Partisë Socialiste Vasilika Hysi mbi transparencën e votimit nga Parlamenti në seancën e fundit të projektvendimit “Për ngritjen e komisionit hetimor për transparencën e zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura në 28 qershor 2009”. Deputetja e selisë rozë ka ngritur dyshime mbi ecurinë e procesit të votimit dhe rezultatet e tij. Por për këtë ajo është akuzuar nga legjislativi për shpifje dhe i është kërkuar të kërkojë ndjesë. “Zonja Hysi, kryesuesja e listës së deputetëve të Tiranës, fatkeqësisht foli me një gjuhë të papërshtatshme për një pedagoge. Përveç kësaj zonja Hysi gënjen kur thotë që zoti Berisha e zoti Meta, megjithëse jo të pranishëm, paskan votuar. Me dëshirën e mirë për të mos e lënë zonjën të dalë, siç nuk duam ta besojmë, e ftojmë zonjën Hysi që para se të dalë, siç doli dje, Kuvendi i vë në dispozicion në çdo kohë e për çdo rast tabelat e votimit në Kuvend”, - thuhet në reagimin e Kuvendit. “Megjithëse votimi është transmetuar direkt nga shumë medie, - vijon ky njoftim, - po i vëmë në dispozicion zonjës tabelat e votimit, ashtu siç ia kemi dhënë kryetarit të saj 10 minuta pas mbylljes së seancës.” Pavarësisht kujdesit të veçantë që kryeadministrata e Kuvendit ka treguar për të mos “fyer” deputeten Hysi, atë e akuzojnë për shpifje. “I kërkojmë zonjës ti kërkojë falje administratës së Kuvendit dhe opinionit publik për shpifjen për vjedhjen e votave në votimin për ngritjen e komisionit hetimor për transparencën e plotë, sipas Kushtetutës të zgjedhjeve më të mira, më të lira e më të ndershme të 28 qershorit”, - përfundon njoftimi i shpërndarë për mediet.

Deklarata e samitit të Bërdos

“BE të mbetet e angazhuar për liberalizimin e vizave”

Shtetet ballkanike që morën pjesë në samitin e Sllovenisë i bënë thirrje Bashkimit Evropian që të mbetet i angazhuar për zgjerimin me vendet e këtij rajoni, si dhe të vazhdojë procesi për liberalizimin e vizave për Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën. Ky ka qenë thelbi i deklaratën përfundimtare të samitit të Bërdos. Organizatori i këtij samiti, kryeministri slloven Borut Pahor, tha se rivaliteti historik dhe kompleksiteti i çështjeve në Ballkan nuk janë pengesa e vetme për integrimin e këtij rajoni, pasi edhe vetë BE-ja është e përçarë në mënyrën se si duhet ta trajtojë Ballkanin e në veçanti Kosovën. “BE-ja nuk ka qëndrime unike për disa çështje. Jo të gjitha vendet e BE-së e njohin Kosovën. Shtetet e BE-së nuk kanë pikëpamje unike as për dinamikën e zgjerimit të bllokut”, - është shprehur Pahor. Ai ka thënë se brenda bllokut ka një nënvlerësim të mundësve që ky rajon do ti japë kontinentit dhe BE-së. Kjo nuk është hera e parë që BE-ja trembet nga problemet dhe largohet duke e lënë një mundësi që ti ikë nga duart. Lidhur me procesin e liberalizimit në deklaratën e përbashkët thuhet se puna për vijimin e këtij procesi nuk duhet të ndalet. Samiti i Bërdos u bojkotua vetëm nga presidenti i Serbisë Boris Tadiç.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›