E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy të akuzuarit dënohen me nga 25 vjet burg

19/03/2010 Gjykimi i vrasësve të ing. Gjergji Halo

FIER- Ka marrë fund seanca përfundimtare në ngarkim të të pandehurve Bledar Yzeiri dhe Fatmir Emini i njohur me nofkën “Milja” për veprën penale të vrasjes me paramendim dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake. Ka qenë trupi gjykues me kryesues gjyqtaren e çështjes Nafije Curri dhe anëtar Adelina Zarka dhe Roland Jaupaj, të cilët kanë përfunduar çështjen dhe i kanë dënuar të dy me nga 25 vjet burg për veprën penale të vrasjes me paramendim për motive të dobëta dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake. Këta 2 shtetas kanë organizuar vrasjen më 12 korrik të vitit 2000 të Gjergji Halo inxhinier ndërtimi, fqinj me Fatmir Eminin. Nga shqyrtimi gjyqësor i çështjes është rezultuar se ngjarja ka zanafillën e saj para korrikut të vitit 2000, moment ku është vrarë ing. Gjergji Halo banor i lagjes “29 Nëntori”, pasi ka ndërtuar një pallat 9-katësh ku banonte edhe familja e tij ka blerë një truall për të ndërtuar një tjetër pallat, përbri pallatit të Fatmir Eminit. Pas blerjes së truallit, Gjergji Halo ka rrethuar vendin dhe ka nisur piketimin për objektin që do të ndërtohej. Kur ka filluar këto punime i ndjeri Halo ka pasur kontradikta sistematike dhe kërcënime të tërthorta nga ana e Fatmir Eminit, pasi sipas këtij të fundit ky pallat i ri do të dëmtonte rrugën pranë pallatit të Fatmir Eminin, aq më tepër që ky i fundit kishte ndërtuar edhe një garazh makinash. Shpesh Emini ka goditur viktimën dhe ka përzënë punëtorët që kryenin ndërtimin. Gjatë kësaj periudhe konfliktuale Emini ka pasur shoqëri dhe miqësi me Yzeirajt, të cilët kishin ikur nga fshati Rërëz i Beratit për shkak të armiqësisë që kishin me Calajt. Ka qenë Fatmir Emini, ai i cili ka organizuar vrasjen e ing. Gjergji Halos, nëpërmjet dorës së Bledar Yzeirit. Kështu rreth orës 21 të datës 12 korrik 2000 kur ing. Gjergji Halo ishte pranë pallatit ku banonte, është qëlluar me pistoletë me silenciator nga Bledar Yzeiri, i cili është larguar me motor nga vendi i ngjarjes. I plagosuri është dërguar menjëherë në spital, por pa dobi pasi ka mbetur i vdekur në vend. Trupi gjykues pasi ka dëgjuar pretencën e Prokurorisë dhe avokatëve, të cilët kanë kërkuar deklarimin të pafajshëm të 2 të pandehurve kanë deklaruar fajtor të pandehurit Fatmir Emini dhe Bledar Yzeiri për veprën penale të vrasjes me paramendim dhe në bashkëpunim për motive të dobëta dhe armëmbajtës pa leje, duke i dënuar të dy në një burg të sigurisë së lartë me nga 25 vjet secili. Aktualisht të 2 të pandehurit janë në burg edhe për vepra të tjera penale.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›