Inspektorati Ndërtimor Kombëtar shtrihet në gjithë Shqipërinë, kompetencat në duart e Bojaxhiut
Inspektorati Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar e shtrin veprimtarinë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Struktura dhe organika e Inspektoratit Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar përcaktohen me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit përgjegjës në fushën e ndërtimit dhe urbanistikës., thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave. Ndryshimet janë bërë në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 8, të ligjit nr.9780, datë 16.7.2007, Për inspektimin e ndërtimit, dhe të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, Për organizmimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Këshilli i Ministrave. Sipas ndryshimeve të bëra në ligjin bazë, përcaktohet se Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar mund të ndërhyjë në terren, nëse sheh se inspektorati lokal, që kontrollohet nga pushteti vendor, nuk ka kryer detyrën e tij në inspektimin e ndërtimit. Në këtë nismë ligjore thuhet: Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, përveç detyrave të tjera, të parashikuara në këtë ligj, ka të drejtë të ushtrojë, përjashtimisht, dhe përgjegjësitë e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik të bashkisë apo komunës për ndërtime të kundraligjshme në territorin e bashkisë apo komunës që nuk përfshihen në zonat dhe objektet me rëndësi kombëtare sipas këtij ligji në rastet kur ekzistojnë kushtet dhe rrethanat e përcaktuara në ligj. Gjithashtu Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar ushtron ndërhyrje në kantierin e ndërtimit apo në objektin e inspektimit vetëm atëherë kur ky proces nuk është bërë nga autoritetet lokale apo atëherë kur nuk ka dokumentacion të plotë nga ndërhyrja e autoriteteve lokale. Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar ndërhyn atëherë kur autoritetet lokale nuk kanë dhënë një vendim për inspektimin; kur nuk ka ekzekutuar vendimin për prishjen e objektit pa leje; si dhe atëherë kur institucionet shtetërore kërkojnë ndërhyrje nëse është cenuar prona publike. Gjatë kësaj detyre, Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar ka të drejtë të bëjë edhe kallëzime penale apo të kërkojë heqjen e licencës së aktivitetit për subjektet private. Inspektimi njëkohësisht, përcaktohet edhe mënyra e inspektimit, i cili do të jetë periodik nga ana e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar.