E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis kompensimi i ish pronarëve, ja dokumentet për aplikim

AKKP: Procedura do të zgjasë 30 ditë dhe tarifa e shërbimit kushton 2 mijë lekë

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të nisë të hënën, procesin e pranimit të kërkesave për të gjithë ata pronarë, që do të përfitojnë nga fondi i kompensimit në vlerë për pasuritë e paluajtshme që preken nga ndërtimet informale.

Sipas drejtorit të kësaj Agjencie, Elvis Cefa, procesi i pranimit të kërkesave do të zgjasë 30 ditë dhe se numri i përfituesve nga ky fond do të jetë mbi 2 mijë individë. Të gjithë aplikantët pasi të paraqiten në zyrat e kësaj agjencie duhet të paguajnë tarifën e shërbimit që kap një vlerë prej 2000 lekë dhe të hapin një llogari bankare në një nga bankat e nivelit të dytë. Sipas kreut të AKKP-së subjektet përfituese nëpërmjet një prokure duhet të paraqesin pranë AKKKP, kërkesën që i bashkëngjitet vendimit të Këshillit të Ministrave të plotësuar, dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtart e ligjshëm në përputhje me percaktimet e Kodit Civil, Prokurën e posaçme të nënshkruar nga të gjitha subjektet që përfitojnë kompensim ku si tagër i nevojshëm të jetë e drejta për të tërhequr vlerën financiare në emër të tyre. Pjesë e dokumentacionit janë dhe vërtetimi i lëshuar nga banka e nivelit të dytë, për hapjen e llogarisë bankare, një dokument identifikimi dhe mandati i pagesës për shumën 2000 lekë. Ndërkohë një vendimin e djeshëm të qeverisë është ngarkuar Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të zonave me ndërtimeve informale për kryerjen e procedurave të kalimit të pronësisë së parcelës ndërtimore të objekteve informale, nga shteti te poseduesi i ndërtimit pa leje.


Vendimi
Në mbështetje të VKM nr. 383, datë 19.05.2010 Për përcaktimin e procedurave të
shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (në vijim AKKP) njofton se fillimin e procesit të pranimit të kërkesave për shpërndarjen e këstit të parë të kompensimit të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet informale. Me këtë rast AKKP fton të gjithë subjektet e interesuara, emrat e të cilëve janë miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave të paraqiten pranë zyrave tona për dorëzimin e kërkesës për kompensim.  Procesi i pranimit të kërkesave të përfituesve nga ky fond do të fillojë ditën e hënë me datë 12.07.2010 dhe do të zgjasë 30 (tridhjetë) ditë kalendarike. Të gjithë subjektet e interesuara do të paraqiten në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, me adresë Rruga Muhamet Gjollesha, nr.54, Tiranë. Të dhënat e subjekteve përfitues janë të evidentuara në listat që i bashkëlidhen këtij njoftimi sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave ku përcaktohet shpërblimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet informale të miratuara deri më tani. Aplikuesit kanë detyrimin të paguajnë tarifën e shërbimit në vlerën prej 2000 (dymijë) lek pranë zyrës së financës së AKKP-së si dhe të hapin në emër të tyre
një llogari bankare në një nga bankat e nivelit të dytë. Subjekti apo përfaqësuesi i tij me prokurë duhet të paraqesë pranë AKKP-së

Baza ligjore
Miratimi i kalimit të pronësisë së disa parcelave ndërtimore në favor të poseduesve të objekteve informate është bazuar në nenin 100 të Kushtetutës, të nenit 17, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje, të ndryshuar, të shkronjës ç, të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, Për shitblerjen e trojeve, të ndryshuar, dhe të paragrafit të tretë, të nenit 175, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Këshilli i Ministrave.

Dokumentacioni për aplikim
1. Kërkesën tip që i bashkëlidhet VKM të mësipërme, të plotësuar sipas
rubrikave.
2. Dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të
subjektit përfitues, sipas radhës së tyre, në përputhje me përcaktimet e Kodit
Civil. Për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e
bërë me akt noterial të sillet certifikatë familjare e personit për të cilin
është lëshuar kjo dëshmi; (në rast se subjekti përfitues nuk jeton)
3. Prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë subjektet që përfitojnë
kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën
financiare, në emër të tyre;
4. Vërtetimin e lëshuar nga banka e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë
bankare;
5. Dokument identifikimi si dhe certifikatë familjare të
kërkuesit/aplikuesit;
6. Mandat pagesën për shumën 2000 (dymijë) lekë.

Parcelat sipas rretheve
1. Në Tiranë, 1925 parcela ndërtimore me sipërfaqe të përgjithshme trualli 669 294,18 m
2. Në Durrës, 760 parcela ndërtimore  me sipërfaqe të përgjithshme trualli 268 505,66 m²
3. Në Shkodër, 118 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 23 817,44  m²
4. Në Lezhë, 41 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 15 653,62  m²
5. Në Berat, 43 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 14 305,70  m²;
6. Në Fier, 400 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 100 190,65 m²
7. Në Korçë, 18 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 4 630,45 m²
8. Në Elbasan, 178 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 35 606, 90  m²
9. Në Gjirokastër, 10 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 3 468,40  m²
10. Në Vlorë, 111 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 44 204,90 m²
11. Në Kukës, 13 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 3 492,72  m²

Gati legalizimi i 3617 objekteve dhe shtesave informale
Rreth 3617 banesa e shtesa pa leje kanë marrë miratimin e Këshillit të Ministrave legalizim. Sipas vendimit për Miratimin e kalimit të pronësisë të disa parcelave ndërtimore në favor të poseduesve të objekteve informale. Për 3617 parcelat e objekteve informale, janë kryer nga ALUIZNI, në përputhje me kriteret ligjore, procedurat  e përditësimit në terren dhe kualifikimit për legalizim, thanë burimet qeveritare. Sipas tyre, objektet informale të trajtuara në këtë vendim janë ngritur pjesërisht në troje, pronë shtetërore dhe pjesërisht në territore të papërfshirë në sistemin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Një tjetër kategori pasurish që trajtohen në këtë vendim janë shtesat (anësore) informale në ndërtime me leje. Për këto ndërtime, autoritetet e përcaktuara nga ligji, ALUIZNI dhe njësitë  e qeverisjes vendore (në vijim NJQV), kanë kryer të gjitha procedurat tekniko-ligjore për përditësimin dhe plotësimin e dosjeve të legalizimit për secilin objekt dhe kanë përfunduar procedurat kualifikuese për legalizim të tyre. Për 3617 parcelat e objekteve informale, për të cilat kërkohet kalimi i pronësisë së trualli me sipërfaqe të përgjithshme prej 1 183 170,62 m2 janë kryer nga ALUIZNI, në përputhje me kriteret ligjore, procedurat  e përditësimit në terren dhe kualifikimit për legalizim.


Ornela Manjani

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›