Inspektorati i Ndërtimit, qeveria i merr kompetencat pushtetit vendor
Projektligji i ri synon zgjerimin e kompetencave të qeverisë. Inspektorati Kombëtar merr vendim për prishjen e ndërtimeve
Eljona Ballhysa
Është depozituar pranë Kryesisë së Kuvendit projektligji që sjell disa ndryshime në ligjin për inspektimin e ndërtimit. Ky projekt i qeverisë synon zgjerimin e kompetencave të Inspektoratit Kombëtar të Ndërtimit. Ky organ ekzekutiv ka të drejtën e ushtrimit të kompetencave në territore që janë nën përgjegjësinë e pushtetit vendor. Megjithatë, në relacionin që i bashkëlidhet këtij projekti bëhet e ditur se shtesat e propozuara në këtë projektligj kanë për qëllim mirëpërcaktimin dhe zgjerimin e fushës së detyrave që duhet të ushtrojë Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar për shkak të problematikave të rënda të konstatuara në zhvillime të paligjshme në territore të ndryshme të vendit. “Zgjerimi i përgjegjësive të Inspektoratit Kombëtar nuk cenon garancinë ligjore që gëzojnë organet e qeverisë vendore për menaxhimin dhe planifikimin e territorit si dhe parimin e decentralizimit dhe autonomisë vendore, por synon të reduktojë drejt kufirit maksimal rastet e ndërtimeve të kundërligjshme në territoret vendore. Mirëpërcaktimi i përgjegjësive synon të bëjë efektive të drejta legjitime të pushtetit qendror në mjedise të caktuara”, - shkruhet në relacion.
Projekti
Megjithatë, vetëm një paragraf më poshtë, në relacion bëhet e ditur “vjedhja” e kompetencave të pushtetit vendor nga ai qendror që synohet të realizohet nga ky projekt i ri i qeverisë. “Zgjerimi i përgjegjësive të Inspektoratit Kombëtar përbën një instrument ligjor që i shërben kryesisht zhvillimit të territoreve në rastet kur organet e qeverisjes vendore nuk ushtrojnë kontroll për shkak të mungesës së kapaciteteve të tyre, ose, megjithëse administrojnë kapacitete duke qenë se ndodhet brenda një komuniteti apo grupi interesi, japin vendime për prishje që në realitet nuk i zbatojnë kurrë”, - shkruhet në draftin e qeverisë që pritet të merret së shpejti në shqyrtim nga komisionet parlamentare. Më tej sqarohet se dhënia e kësaj përgjegjësie Inspektoratit Kombëtar është një e drejtë që ky organ duhet ta ushtrojë në mënyrë që në vend të rikthehet ligjshmëria. Projekti synon që Inspektorati të ndërhyjë me vendim për prishjen e objekteve në ato raste kur objekti është i kundërligjshëm sipas një procedure të përcaktuar qartë dhe që nuk lë vend për dyshime. Në ato raste kur pushteti vendor ka ushtruar përgjegjësinë e tij për prishjen e objekteve të paligjshme, nuk ka të drejtë të ndërhyjë Inspektorati Kombëtar. Kështu, për të shmangur kontrollet e dyfishta është parashikuar në këtë draft që Inspektorati Kombëtar të ndërhyjë në territore për prishje ndërtimesh të kundërligjshme vetëm pasi të jenë siguruar tri kushtet: e para, kur Inspektorati vendor nuk ka bërë kontroll dhe nuk ka një vendim për ndërtimin e paligjshëm; e dyta, kur vendimi i Inspektoratit vendor për prishjen e ndërtimit të paligjshëm nuk është zbatuar; dhe së treti, kur subjektet qendrore që gëzojnë të drejta të ligjshme për pronën publike ose shtetërore, të zëna nga ndërtime të kundërligjshme, kërkojnë rikthimin e ligjshmërisë. “Plotësimi i këtyre kushteve siguron që kontrolli mbi territorin po ushtrohet për shkak se organet e qeverisjes vendore, me gjithë detyrimin që kanë për të kontrolluar territorin dhe për ta menaxhuar atë, nuk e kanë ushtruar këtë të drejtë ose kanë qenë në pamundësi për të përmbushur vullnetin e tyre deri në fund, në rastet e mosekzekutimit të vendimeve për prishje të objekteve të paligjshme”, - shkruhet në relacionin që i bashkëlidhet projektit. Në këtë projektligj është shtuar dhe një nen tjetër që i jep të drejtën Inspektoratit Kombëtar që të ushtrojë kontroll periodik të territoreve që cilësohen si pronë publike, ku përfshihen zonat bregdetare, liqenore, lagunat, liqenet, vija bregdetare, ujërat territoriale, shtretërit e lumenjve etj. Në bazë të përvojave të mëparshme që lidhen me koncesione ndërkombëtare për ndërtim portesh të hapura si në Porto Romano apo edhe në Vlora 1, është parë i domosdoshëm inspektimi periodik i detyrueshëm në mënyrë që ndërtime të ndryshme të mos sjellin katastrofa mjedisore.
Berisha, në mbledhje qeverie, kujton pallatin e kunatit të Dash Pezës
Gjatë mbledhjes së qeverisë së disa ditëve më parë, kur është miratuar projekti për Inspektoratin Kombëtar Ndërtimor, kryeministri Berisha, ndërsa ka vlerësuar ndryshimet, ka kujtuar se ky projekt merret për të mos lejuar ndërtime në rrugë si rasti i pallatit të kunatit të deputetit të PS-së, Peza. “Ajo që ndodhi në pallatin e Gjirokastrës, për shkak të papërgjegjësisë së autoriteteve vendore apo të tjera, mund të përsëritet në këtë vend periodikisht. Ndërtimi mbi rrugë dhe mbi oborre shkollash mund të përsëritet për shkak të babëzisë etj. Lëkundet pallati me 9 kate mbi leje. E sheh Bashkia dhe në vend që të marrë masa për ta prishur dhe për të garantuar jetën, thotë është dhe një pallat tjetër, diku tjetër. Unë nuk them se nuk është, por në mënyrë absolute ndërtim që t’i kërcënojë këta qytetarë nuk do të lejohet, por do të rrafshohet. Këtu nuk do të ketë më asnjë tolerim. Ndaj dhe ky ligj është bërë i domosdoshëm”, - është shprehur Berisha disa ditë më parë.
22 Dhjetor 2009