Shpërblimi, ISSH nxjerr grafikun e marrjes së 2500 lekëshit për pensionistët
Shpërblimi do të tërhiqet në datën e pensionit nga ora 08:00 e mëngjesit deri në 13:00
Jonida Tashi
Nis sot shpërndarja e shpërblimit për festat e fundvit për 554 900 pensionistët në vend. Lajmi bëhet i ditur zyrtarisht nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore në Tiranë, i cili ka publikuar dje grafikun e marrjes së shpërblimit. Burime zyrtare nga ISSH-ja sqarojnë se duke filluar nga dita e sotme, bazuar në Vendimin Nr. 1216 të Këshillit të Ministrave, datë 16.12.2009, do të nisë shpërndarja e shpërblimit për festën e fundvitit për të gjithë pensionistët. Sipas vendimit, të gjithë pensionistët do të mund të tërheqin në sportelet e postës shpërblimin prej 2500 lekësh, duke nisur nga dita e sotme deri më 31 dhjetor. Për të mos krijuar probleme në shpërndarjen e pensioneve, si dhe përfundimin e dhënies së këtij shpërblimi, ISSH-ja, në bashkëpunim me Postën Shqiptare, ka hartuar një grafik, i cili do të mundësojë shpërndarjen pa probleme të tij deri në fund të dhjetorit. Sipas llogaritjeve të bëra nga ekspertët e ISSH-së, nga ky vendim do të përfitojnë 554 900 mijë pensionistë. Vendimi i qeverisë përfshin personat që marrin pension pleqërie, invaliditeti, familjar, pensione të posaçme. Gjithashtu, në këtë vendim përfshihen veteranë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, kur nuk përfitojnë pension tjetër, trajtime të veçanta si punonjës të nëntokës dhe industrisë ushtarake, si dhe ish-ushtarakët dhe punonjësit e Policisë së Shtetit që përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi.
Grafiku
Sipas grafikut të shpërndarjes së shpërblimit për moshën e tretë, pensionistët do të marrin nga ora 08:00 e deri në orën 13:00 pensionin në datën e caktuar, si dhe shpërblimin përkatës, ndërkohë që pas orës 13:00 e deri në orën 20:00, do të jepet shpërblimi për ata pensionistë që u ka kaluar data e tërheqjes së pensionit. Kështu, sipas grafikut të ISSH-së, sot do ta marrin pensionin personat që kanë datën e tërheqjes së pensionit, ndërsa pas orës 13:00 do të marrin shpërblimin pensionistët që e kanë marrë pensionin në datën 1 dhe 2 dhjetor. Pra, me këtë grafik do të punohet deri në përfundimin e shpërndarjes së masës prej 2500 lekësh deri në fund të muajit dhjetor, që shpërblimi të merret nga pensionistët para festave të fundvitit. Efekti financiar vetëm për shpërblimin e pensionistëve arrin në shifrën 1 387 200 000 lekë, ose mbi 15 milionë dollarë. Instituti i Sigurimeve Shoqërore thekson edhe njëherë se asnjë prej pensionistëve nuk duhet të shqetësohet nëse nuk do të arrijë të tërheqë shpërblimin brenda këtyre datave, pasi do të mund ta marrin edhe pas Vitit të Ri shpërblimin e përcaktuar nga qeveria, ashtu siç ka ndodhur edhe në vitet e shkuara.
Kategoritë
Në vendimin e saj për dhënien e shpërblimit për moshën e tretë me rastin e festave të fundvitit, qeveria ka përcaktuar edhe kategoritë që do ta përfitojnë atë këtë vit. Sipas vendimit të qeverisë, shpërblimin do ta përfitojnë: personat që marrin pension pleqërie, pension invaliditeti dhe pension familjar, sipas Ligjit Nr. 4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë” dhe Ligjin Nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; personat, që marrin pension sipas Ligjit Nr. 4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë” dhe sipas paragrafit të katërt, të Nenit 96, të Ligjit Nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që trajtohen me shpërblim mujor sipas Ligjit Nr. 7874, datë 17.11.1994, “Për statusin e veteranit të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar”; personat që marrin pension për merita të veçanta sipas Ligjit Nr. 4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”; personat që marrin pension të posaçëm shtetëror, kur nuk përfitojnë ndonjë prej pensioneve të mësipërme; personat që marrin trajtim të veçantë financiar sipas Ligjit Nr. 8685, datë 22.6.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, të ndryshuar; personat që përfitojnë trajtim të veçantë financiar sipas Ligjit Nr. 9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”, të ndryshuar; personat që marrin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, sipas Ligjit Nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror, suplementar, të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”.
Shpërblimi do të tërhiqet sipas këtij grafiku:
22 dhjetor dhe datat 1 dhe 2 dhjetor
23 dhjetor dhe datat 3 dhe 4 dhjetor
24 dhjetor dhe datat 5 dhe 6 dhjetor
25 dhjetor dhe datat 7 dhe 8 dhjetor
26 dhjetor dhe datat 9, 10 dhe 11 dhjetor
27 dhjetor dhe datat 12, 13 dhe 14 dhjetor
28 dhjetor dhe datat 15, 16 dhe 17 dhjetor
29 dhjetor dhe datat 18, 19 dhe 20 dhjetor
30 dhjetor dhe data 21 dhjetor, si dhe ata që nuk kanë mundur t’i tërheqin brenda datave të caktuara në këtë kalendar
31 dhjetor ata që nuk kanë mundur t’i tërheqin brenda datave të caktuara në këtë kalendar
Orari i marrjes së shpërblimit
Sipas grafikut të shpërndarjes së shpërblimit për moshën e tretë, pensionistët do të marrin nga ora 08:00 deri në orën 13:00 pensionin në datën e caktuar, si dhe shpërblimin përkatës, ndërkohë që pas orës 13:00 deri në orën 20:00 do të jepet shpërblimi për ata pensionistë që u ka kaluar data e tërheqjes së pensionit.
Vendimi i qeverisë, kategoritë që do të përfitojnë shpërblim
Personat që marrin pension pleqërie, pension invaliditeti dhe pension familjar, sipas ligjeve 4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë” dhe 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Personat që marrin pension, sipas Ligjit Nr.4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, dhe sipas paragrafit të katërt, të nenit 96, të ligjit Nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që trajtohen me shpërblim mujor, sipas Ligjit Nr. 7874, datë 17.11.1994, “Për statusin e veteranit të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar”.
Personat që marrin pension për merita të veçanta, sipas Ligjit Nr. 4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”.
Personat, që marrin pension të posaçëm shtetëror, kur nuk përfitojnë ndonjë prej pensioneve të mësipërme.
Personat që marrin trajtim të veçantë financiar, sipas Ligjit Nr.8685, datë 22.6.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, të ndryshuar.
Personat që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, sipas Ligjit Nr.9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”, të ndryshuar.
Personat që marrin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, sipas Ligjit Nr. 10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror, suplementar, të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”.
22 Dhjetor 2009