E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inspektorati, kontroll pasurisë së Priftit në gusht

Nisma Kreu i ILDKP-së, Adriatik Llalla, foli për hetimin e plotë të pasurisë së ministrave dy javë më parë në “Shqip”

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive do të nisë në fillimin e muajit gusht hetimin e plotë të pasurisë së ministrave dhe krerëve të lartë të shtetit shqiptar, duke përfshirë këtu edhe pasurinë e ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti. Burime pranë ILDKP-së bëjnë të ditur se ministri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Dritan Prifti, bën pjesë ndër zyrtarët më të lartë të shtetit, pasuria e të cilëve hetohet në mënyrë të plotë në çdo dy vjet. Kështu pritet që debatet dhe kërkesat për fillimin e hetimeve të plota për ministrin e Ekonomisë dhe Energjetikës, Prifti, të përkojnë me kohën kur vetë ILDKP kishte parashikuar kontrollin e plotë jo vetëm për ministrin e LSI-së, por edhe për ministrat e tjerë dhe zyrtarët e lartë. Ky kontroll i plotë për ministrat, Kryeministrin, Presidentin dhe zyrtarët e tjerë të lartë është pohuar dy javë më parë në një intervistë që kreu i ILDKP-së, Adriatik Llalla, ka dhënë për gazetën “Shqip”. “Po përgatisim listën emërore të subjekteve që kalojnë për kontroll të plotë në çdo dy vjet. Në këtë listë do të përfshihen zyrtarë të nivelit të lartë si Presidenti, Kryeministri, ministrat, zëvendësministrat etj., si dhe familjarët e tyre, ‘persona të lidhur’ sipas kuptimit të ligjit”, ka deklaruar Adriatik Llalla në numrin e datës 5 korrik të gazetës “Shqip”. Po këtu Llalla ka theksuar se “hetimi i tyre do të nisë menjëherë pas procesit të kontrollit të plotë të zyrtarëve të përzgjedhur nga shorti”. Tashmë burimet pranë ILDKP-së bëjnë të ditur se nisja e hetimeve për ministrat në fillim të muajit gusht lidhet me përfundimin në këtë periudhë të hetimit të 190 zyrtarëve të niveleve të ndryshme që u përzgjodhën me short.

Në fund të muajit prill 2010, Inspektorati i Lartë zhvilloi procedurën e përvitshme të hedhjes së shortit për përzgjedhjen e 4 për qind të zyrtarëve që deklarojnë periodikisht interesat private për kalim në kontroll të plotë, që është faza e hetimit më të thelluar administrativ që zhvillon ILDKP. Nga shorti u përzgjodhën 190 zyrtarë të niveleve të ndryshme, për të cilët nisi menjëherë hetimi administrativ. Duke iu referuar Kodit të Procedurave Administrative, ku parashikohet një afat i përgjithshëm prej 3 muajsh për përfundimin e hetimit administrativ, fundi i këtij muaji është edhe koha kur hetimi për emrat e shortit do të përfundojë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›