E Diel, 1 Nëntor 2026

Vapa vret tre të rinj në një ditë

Dy veta u mbytën në një përrua në Gramsh, një tjetër vdiq nga zemra në Belsh

Temperaturat e larta kanë shkaktuar vdekjen e tre personave dje në Qarkun e Elbasanit. Dy të rinj, 20 dhe 21 vjeç, janë mbytur në përroin e Tërvolit në rrethin e Gramshit, ndërsa një 14-vjeçar ka ndërruar jetë në spital pas komplikacioneve që i ka shkaktuar vapa.

Dy të mbyturit

Dy të rinj kanë humbur jetën duke u larë në një përrua. Episodi tragjik ka ndodhur rreth orës 18.45 të pasdites së djeshme në fshatin Tërvol të Komunës Pishaj të rrethit të Gramshit, 20 kilometra larg qytetit. Sipas burimeve zyrtare të policisë, dy të rinjtë janë futur në ujë për t’u freskuar, në një pellg të madh që ndodhet në pikën ku përroi i Tërvolit bashkohet me përroin e madh të Holtës. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, mësohet se Maringlen Kullolli, 20 vjeç, dhe Elton Duzha, 21 vjeç, banorë të fshatit Tërvol dhe kushërinj me njëri-tjetrin janë mbytur. Përroi nuk ka pasur prurje të shumta, pasi ai fryhet vetëm kur bie shi, por pellgu në të cilin janë larë të rinjtë ka qenë shumë i thellë, rreth 10 metra. Ndërkohë, mësohet se kanë qenë kalimtarë të rastit ata që kanë parë njërin prej të rinjve që dilte e hynte në vorbullën e ujit, (një lloj turbulence krijuar në gropa të tilla) dhe kanë dhënë alarmin për mbytjen e tyre. Ka qenë e pamundur ndërhyrja e disa banorëve të fshatit për ndihmë, pasi trupat e tyre janë përpirë shpejt nga uji. Policia e qytetit të Gramshit ka mbërritur shpet në vendngjarje, por edhe kjo ka kërkuar ndihmën e forcave RENEA për nxjerrjen e trupave. Burimet zyrtare të policisë kanë konfirmuar rreth orës 19.00 të mbrëmjes së djeshme se drejt vendit të ngjarjes janë nisur në grupin e specialistëve të RENEA-s edhe tre palombarë, të cilët do të kërkojnë në fundin e pellgut me ujë të turbullt trupat pa jetë të dy të rinjve. Ndërsa Policia e Gramshit në bashkëpunim me atë të Elbasanit janë duke hetuar mbi këtë ngjarje. Fillimisht po hetohet në tri pista për shkakun e mbytjes. Ekspertët mendojnë se njëri nga të rinjtë mund të ketë dëmtuar kokën në fund të pellgut kur është hedhur aty, ka ngecur nëpër barishte, ose ka ngecur në llucë, ndërsa i dyti është mbytur duke u përpjekur të ndihmonte shokun.

Bariu

Një 14-vjeçar humbi jetën mesditën e djeshme në rrethin e Elbasanit. Ngjarja e hidhur ndodhi në qytezën e Belshit, rreth orës 14.30. Sipas burimeve zyrtare të policisë, L.çili 14 vjeç, banor i këtij qyteti, gjatë ditës së djeshme ka qenë duke kullotur bagëtitë në periferi të qytezës, por duke qenë se nuk është ndier mirë, ka kërkuar ndihmë nga të afërmit. Këta të fundit, duke ditur gjendjen e tij jo të mirë shëndetësore, e kanë transportuar menjëherë në qendrën shëndetësore të Belshit, por fatkeqësisht 14-vjeçari, sipas mjekëve specialistë, ka pësuar atak kardiak duke gjetur edhe vdekjen e menjëhershme. Mjekët thanë se i riu kishte probleme shëndetësore dhe se temperatura e lartë ka ndikuar në përkeqësimin e gjendjes së tij, duke çuar në komplikacione të rënda që i kanë shkaktuar edhe vdekjen.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›