Inspektorët e ministrisë fusin duart në dosjen e Gani Kamberit
TIRANË- Ministria e Drejtësisë përplaset sërish me organin e akuzës, këtë radhë duke ndërhyrëme inspektorët e saj në dosjen e vetëvrasjes së denoncuesit të vjedhjes së pronave në fshatin Kashar, Gani Kamberi, në kohën kur çështja ishte nën hetim. Kështu, pak muaj pas sheshimit të përplasjes së prokurorisë me policin po në lidhje me përfundimin e hetimit të ngjarjes së 14 tetorit të vitit 2007, ku u gjet i vrarë më një plumb në kokë denoncuesi i grabitjes së pronave nga zyrtarët e Komunës së Kasharit, Gani Kamberi, prokuroria përballet sërish me ndërhyrje, këtë radhë nga Ministria e Drejtësisë. Ndërhyrje kjo, që sipas burimeve zyrtare pranë prokurorisë së kryeqytetit, tejkalon kompetencat e parashikuara në ligj për inspektoratin e Ministrisë së Drejtësisë dhe ligjin për kontrollin e punës së prokurorisë. “Inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë, në kohën kur prokurori i çështjes po hetonte dosjen në lidhje me zbardhjen e ngjarjes ku është gjetur i vrarë me një plumb në kokë shtetasi Gani Kamberi, janë paraqitur në prokurori me një urdhër të firmosur nga vetë ministri Enkelejd Alibeaj, dy inspektor të cilët kërkuan të verifikojnë këtë dosje. Por, jo vetëm kaq, dy inspektorët pas shfletimit të provave të mbledhura nga prokuroria dhe policia, duke përdorur kompetencat e kontrollit kanë sekuestruar një raport të policisë kriminale, brenda së cilës evidentohen emrat e personave me të cilët viktima Kamberi kishte përplasje për vjedhjen e pronës së tij”,-thuhet nga burimet e akuzës. Ndërkohë, ditët e fundit të muajt korrik, prokuroria e Tiranës e pezulloi dosjen e Gani Kamberit duke e cilësuar përfundimisht si vetëvrasjes, përfundim ky i nxjerr pas mbarimit të akt-ekspertimit të Mjekësisë Ligjore të cilët u shprehen se “Gani Kamberi është vetëvrarë”. Ndërsa, veprimi i inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë, sipas burimeve të prokurorisë, është në kundërshtim me ligjin mbi inspektimin e organit të akuzës, pasi sipas tyre “nuk mund të kontrollohet një dosje nga inspektorët e jo më shumë të sekuestrohen dokumente të cilat janë në cilësinë e provës materiale në fashikullin e hetimit në kohën kur çështja nuk ishte mbyllur përfundimisht”. Mësohet nga burimet e prokurorisë se inspektorët nuk kanë dhënë asnjë detaj apo arsye në lidhje me kryerjen e këtij kontrolli si dhe sekuestrimin e raportit të policisë kriminale, duke lënë shkak për abuzime. Ndërsa burimet zyrtare pranë Ministrisë së Drejtësisë, edhe pse me pushime, nuk nguruan të përgjigjen në lidhje me këtë inspektim, ku sipas tyre është kryer duke respektuar ligjin mbi funksionimin e prokurorisë dhe ligjin e rregulloren e inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë mbi kontrollin e punës së prokurorisë. Kjo përplasje nuk është e para për Ministrin e Drejtësisë me pushtetin gjyqësor, pasi kohë më parë ministri Enkelejd Alibeaj pati përplasje dhe “luftë” mediatike me zvkryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu dhe gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë të kryeqytetit, të cilët në drejtim të ministrit lëshuan një lumë akuzash për ndërhyrje në kompetencat e tyre dhe presion karshi gjyqësorit.
PRONA
Toka e vjedhur e Gani Kamberit
TIRANË- Megjithëse ishte ndër banorët më të vjetër të fshatit Kashar, Gani Kamberi zyrtarisht rezulton pa një pëllëmbë tokë. Banesa e tij figuron e regjistruar si ndërtim i paligjshëm, edhe pse themelet e saj janë ndërtuar mbi shtëpinë e vjetër të familjes Kamberi. E gjithë prona e kësaj familjeje, 15.120 metra katrorë figuron e regjistruar në emrin e Ç.Gjonajt. Në bazë të dokumenteve të firmosur nga përfaqësuesit e komunës së Kasharit, kjo sipërfaqe toke, në vitin 2005 i ka kaluar në pronësi znj.Gjonaj, të cilën askush prej vendasve nuk e njeh banore të kësaj zone. Firma që ka lëshuar kryetari i komunës së Kasharit, Faik Fejzo, tashmë i arrestuar, ka bërë që Gjonaj të regjistrojë tokën e fituar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurisë. Vetëm në verën e vitit 2006, në Kashar është folur hapur për abuzimet që kryenin krerët e komunës duke regjistruar si pronarë, persona të tjerë dhe më pas kryheshin aktet e shitjes. Fill në këtë kohë, i ndjeri Gani Kamberi ka denoncuar në polici abuzimet me pronën e tij. Për këtë arsye, ndërmjet tij dhe përfaqësuesve të pushtetit vendor në Kashar ka pasur edhe konflikte, ndërkohë që edhe banorë të tjerë të zonës fillojnë të ngrenë akuza për “vjedhjen” e pronave të tyre. Falë hetimeve disamujorë dhe denoncimeve të shumta nga banorë të Kasharit, në nëntor të vitit të kaluar u arrestuan 16 persona që tashmë ndodhen para togave të zeza për abuzimet me qindra hektarë tokë në këtë zonë. Sipas prokurorisë, të pandehurit dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë falsifikuar dokumentet e ndarjes së tokës dhe kanë pajisur me vërtetim pronësie persona të ndryshëm, jo banorë të Komunës Kashar, kundrejt përfitimeve të paligjshme.
NGJARJA
Hetimet pas vdekjes së Gani Kamberit
TIRANË- Më 14 tetor të vitit të kaluar, Gani Kamberi u gjet i vdekur nëafërsi të një pellgu uji, vetëm pak muaj pasi kishte denoncuar skandalin e abuzimeve me tokat në zonën e Kasharit. Viktima 50- vjeçare kishte marrë një plagë vdekjeprurëse në kokë, ndërkohë që banorët thonë se kanë dëgjuar dy të shtëna të armës. Megjithëse është klasifikuar si një vetëvrasje, fillimisht hetuesit kanë dyshuar se bëhej fjalë për një vrasje. Në sektorin e Antikrimit Ekonomik të policisë së Tiranës, por edhe në Prokurorinë e kryeqytetit, Gani Kaberi ishte paraqitur dy herë me radhë. Ai është një nga banorët e parë të Kasharit që ka denoncuar abuzimin e titullarëve të komunës me tokat në këtë zonë. Pasi ka bërë denoncimin, 50-vjeçari, banor i zonës, ka dhënë dëshmi për gjithçka kishte ndodhur me sipërfaqet e tokave në pronësi të tij, madje ka paraqitur edhe dokumente pranë grupit hetimor. Gani Kamberi ishte marrë në pyetje më 11 tetor 2007 nga grupi i hetimit, pra tre ditë para se të gjendej i vdekur, me një plumb në kokë. Madje një nga shkaqet kryesore pse mendohet se ai mund të jetë vetëvrarë është hetuar të ishte konflikti i ashpër, pa zgjidhje në të cilin ai ndodhej prej muajsh, me persona të tjerë lidhur me dy sipërfaqe toke në pronësi të tij. Fillimisht policia ka hetuar mundësinë e ndonjë hakmarrjeje, por më pas, raporti përfundimtar e klasifikoi ngjarjen si vetëvrasje.