E Diel, 1 Nëntor 2026

Leskaj: Berisha e paraqiti korrupsionin si histori suksesi

Opozita e vlerëson të dështuar në të gjitha punën e qeverisë për shtatë-mujorin e parë të vitit 2008.

Partia Socialiste vijoi edhe dje akuzat për kryeministrin Berisha pas analizës që ai i bëri disa ditë më parë punës së qeverisë në 7 muajt e parë të këtij viti. Sipas kryetares së grupit kuvendor socialist, Valentina Leskaj, qeveria ka dështuar në të gjitha zërat; si në luftën kundër korrupsionit, ashtu edhe në infrastrukturë apo ekonomi. Kjo, sipas Leskajt, dëshmohet edhe nga raportet e shumta negative të ndërkombëtarëve në këto muaj. “Me gjithë përpjekjen për ta kthyer korrupsionin në histori suksesi, nuk mund të mohojë të paktën 6 raporte ndërkombëtare, që vijnë të përkeqësuara, lidhur me luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar e trafiqeve, dhe këto janë vetëm në harkun e një viti. Kryeministri foli për suksese politike, përfshirë edhe privatizimin e ftesës për NATO, ndërkohë që në Washington siç është bërë e njohur nga burime diplomatike, po rritet shqetësimi për hapa mbrapa, që lidhen me zbardhjen e krimit të Gërdecit, me përpjekjet e mazhorancës për të vënë nën kontroll institucionet e pavarura (prokurori, gjykatë, deri te projektligji më i fundit në proces për Prokurorinë)”, - tha Leskaj. Të gjitha të dhënat e marra nga realiteti por edhe nga këto raporte të ndërkombëtarëve, sipas socialistëve, vërtetojnë më së miri se qeveria e drejtuar nga Berisha nuk është në gjendje që të qeverisë më vendin dhe se zgjedhjet e ardhshme, janë shpresa e vetme kur qytetarët me votën e tyre të ndalojnë këtë regres që po e ndjejnë çdo ditë e më shumë mbi vete.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›