E Diel, 1 Nëntor 2026

Inspektori i komunës: Asnjëherë nuk më kërkuan të inspektoj Prevallën

Dy vjetët e fundit, Komuna e Prizrenit asnjëherë nuk I ka dërguar inspektorët e vet në Fshatin Turistik të Prevallës.

Këtë e ka konfirmuar vet drejtori i inspektoratit të kësaj komune Bujar Nerjovaj, që ishte prezent gjatë aksionit të inspektorëve të MMPH-së në Prevallë.

Pyetjes së gazetarit nëse drejtoria e urbanizmit e kësaj komune I ka kërkuar të inspektonte punimet në këtë zonë, Nerjovaj, tha shkurt “jo”.
Nerjovaj që vjen nga radhët e AAK-së më pas u arsyetua se në krye të drejtoratit të inspektoratit ka ardhur në mes të vitit 2011, ndërkaq u ankua se nuk ishte I informuar për vendimin e MMPH-së për ndaljen e punimeve ngase në drejtorinë e tij nuk ka ardhur asnjë shkresë.

Megjithëse nuk mohoi të ketë ardhur vendimi në Komunën e Prizrenit, duke lënë për të kuptuar se Komuna e Prizrenit, as që është mbledhur për të diskutuar për vendimin e fundit të MMPH-së.

Nga ana tjetër, zyrtarë të Ministrisë i kërkuan shpjegime delegacionit të komunës së Prizrenit që ende po japin leje për vazhdimin e punimeve.

“MMPH do t’i kërkoj dhe zyrtarisht Komunës së Prizrenit dy procesverbalet e lëshuara pas vendimit për ndalimin e punimeve dhe në rast se konstatohet që zyrtarët komunal kanë shpërfillur vendimin e Ministrisë me këto procesverbale, zyrtarët përgjegjës do të përballen me organet e drejtësisë.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Dardan Gashi është i vendosur të zbatoj vendimin për ndalimin e aktiviteteve në këtë zonë dhe do të marrë masa ndaj atyre që nuk i binden, zyrtarë komunal qofshin apo pronar të ndërtimesh” thuhet në komunikatën për media e MMPH-së. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›