Institucionet e Serbisë integrohen në sistemin e Kosovës deri në fund të vitit?

Teksti i planit të zbatimit të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit e Prishtinës, për të cilin, sipas gazetës serbe „Danas“, më 22 maj janë marrë vesh në Bruksel kryeministri serb dhe ai i Kosovës Ivica Daçiq dhe Hashim Thaçi, parasheh integrimin e institucioneve serbe në sistemin e Kosovës deri në fund të këtij viti.
Gazeta ka botuar tekstin e planit të zbatimit i cili përmban afate dhe hapa të Beogradit e Prishtina që duhet t’i ndërmarrin deri në fund të vitit 2013 për t’ zbatuar Marrëveshja, trasnmseton koha.
Implementimin e bëjnë gjashtë elemente kryesore e i pari është përshtatja e kornizës ligjore. Parashihet që të dy palët deri në fund të qershorit të miratojnë ndryshimet ligjore të domosdoshme për implementim të Marrëveshjes përfshirë dhe ligjin për amnisti.
Elementi i dytë është Bashkësia (e komunave serbe). Parashihet formimi i ekipit drejtues për themelimin e Bashkësisë (është themeluar) e i cili do të merret me të gjitha çështjet relevante për themelimin e Bashkësisë.
Bashkësia duhet të themelohet deri në fund të tetorit e të miratohet statuti i saj në përputhje me Kartën Evropiane për administrim lokal dhe me ligjin e Kosovës.
Elementi i tretë i implementimit është policia. Është paraparë që të dy palët të krijojnë grupe pune për të hartuar (deri në maj, shkruan gazeta) plane detajuese dhe korniza kohore për integrim të pjesëtarëve të strukturave të sigurisë serbe në strukturat e Kosovës si dhe për themelimin e cilësdo strukturë të re që do zbatohet me ndihmë të EULEX-it. Në këtë afat është paraparë edhe emërimi i ushtruesit të detyrës të komandantit rajonal policor për katër komuna në veri.
Sipas planit, deri në mesin e qershorit, Serbia duhet të fillojë t’i mbyllë lokalet ku janë vendosur strukturat e sigurisë serbe në Kosovë si dhe të fillojë procedurat për ndërprerjen e të ardhurave personale pas përfshirjes së tyre në strukturat e Kosovës. Kosova, duhet të ofrojë pozita në Policinë e Kosovës për ata që duan të përfshihen në të.
Deri në mesin e qershorit duhet të mbyllen të gjitha lokalet e strukturave serbe të sigurisë në Kosovë e deri në fund të vitit pjesëtarët e këtyre strukturave duhet të integrohen në tërësi në struktura të Kosovës e pagat do t’i marrin ekskluzivisht nga buxheti i Kosovës.
Elementi i katërt i implementimit është gjyqësia. Plani parasheh që të dy palët deri në fund të majit të formojnë grupet e punës që do hartojnë plane detajuese për integrim të sistemit gjyqësor serb në sistemin gjyqësor të Kosovës si dhe themelimin e një strukture të re përfshirë edhe gjykatat themelore dhe zyrat e prokurorit publik në komunat me shumicë serbe. Kjo do të zbatohet si pjesë e kornizës gjyqësore të Kosovës me përkrahje të EULEX-it .
Përbërja në gjyqësi duhet të pasqyrojë përbërjen etnike të juridiksionit territorial të secilës gjykatë veç e veç e deri në fund të vitit duhet të përfundojë integrimi i organeve gjyqësore. Të gjitha gjykatat serbe do të mbyllen e trupat e reja të vendosura dhe personeli duhet të integrohen në sistemin e Kosovës.
Elementi i pestë janë zgjedhjet lokale që duhet të mbahen deri në fund të tetorit. Bisedimet për mbajtjen e zgjedhjeve, në të cilat do të marrë pjesë OSBE, do t’i fillojë Këshilli për implementim në javën e parë të korrikut.
Elementi i fundit i implementimit të Marrëveshjes janë dispozitat e përgjithshme që flasin për transparencën e financimit. Në to flitet edhe për domosdoshmërinë e zbatimit të plotë të marrëveshjeve të mëhershme për të cilat me dialog janë zotuar dy palët, që nga kadastra, librat amzë, vulave doganore, , diplomat universitare, liria e lëvizjes, përfaqësimi rajonal, menaxhimi i integruar i kufirit, oficerëve ndërlidhës, njësitë e posaçme policore për ruajtjen e trashëgimisë fetare e kulturore, deri te pagesa e doganës, përkatësisht Fondit për veriun e Kosovës.
Në plan po ashtu theksohet se parimet për të cilat janë marrë vesh dy palët, kur bëhet fjalë për Këshillin për implementim, thuhet se hapat në zbatimin e planit duhet të ndërmerren bashkërisht dhe se plani i zbatimit do të përshpejtohet, nëse për këtë ka nevojë. /Indeksonline/