WIKILEAKS, trajtimi i emigrantëve, Greqia shkel konventat
Zbardhen dokumentet e para sekrete të përfaqësisë diplomatike amerikane në Athinë, ku në tre kabllot e publikuara dje në “The Guardian” ngrihet shqetësimi për shkeljen e konventave ndërkombëtare nga Athina zyrtare në trajtimin e emigrantëve. Dalja e informacioneve sekrete përkon me ngritjen e debateve për ndërtimin e murit mes Greqisë dhe Turqisë për parandalimin e klandestinëve. Dokumentet e publikuara dje janë të klasifikuara “sekret” dhe sjellin bisedat e bëra nga diplomatët amerikanë me autoritetet zyrtare të Athinës. “Që nga viti 2004, deri në vitin 2008 ka një rritje 325 për qind të emigrantëve të arrestuar”, - thuhet në dokumentin sekret. Sipas tij, gjashtë vjet më parë raportoheshin 44 987 të arrestuar, ndërsa tre vjet më parë 146 337, - dhe ky numër është vetëm një pjesë e numrit të vërtetë të tërësisë së emigrantëve.
Dokumentet
Ashtu siç ishte paralajmëruar, dalin dokumentet e para sekrete nga Ambasada Amerikane në Athinë, që kanë rënë në duart e bosit të arrestuar të WikiLeaks, Julian Assange. Tre dokumente të tilla dolën te e përditshmja britanike “The Guardian”, që ka marrëveshje për publikimin e informacioneve që posedon WikiLeaks. I pari është “Kthesa e Greqisë në çështjet e migrimit dhe azilimit” dhe mban datën 1 shkurt 2010. Dokumenti i dytë ka të bëjë me risajesën nga ana e Greqisë e shërbimeve të sigurisë dhe goditjet e emigrimit, dhe ka datën 1 shkurt 2010. Ndërsa dokumenti i tretë, që është përgatitur më 29 janar 2010, ka titullin: “Greqia orientohet drejt mangësive në luftën kundër terrorizimit”. Këto tre dokumente lidhen me problemet e brendshme që kanë shkaktuar flukset emigratore, trajtimi nga ana e Greqisë, ndryshimi i politikave pas rrotacionit të pushtetit në vitin 2009 dhe ardhjes në pushtet të PASOK-ut dhe raportet tensionuese me Turqinë.
Problemet
Greqia është ndër vendet më të kritikuara nga organizatat ndërkombëtare dhe shoqatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut për trajtimin e emigrantëve. Një fakt i tillë pohohet në dokumentin e publikuar në WikiLeaks. Materiali sekret i përgatitur nga diplomatët amerikanë i referohet të dhënave të IOM-it, UNHCR-së, Amnesty International etj. Madje theksohet se në jo pak raste është shkelur edhe Protokolli i Dublinit. “Emigrantët përbëjnë rrezik për sigurinë e Greqisë”, - thuhet në këtë raport, ku citohen edhe protestat e dhunshme të komuniteteve të huaja gjatë viteve 2008 dhe 2009. Mungesa e statusit ligjor, pamundësia e integrimit ekonomiko-social, ushtrimi i besimit etj., janë ndër pikat e përmendura. Madje theksohet se edhe vetë qytetarët grekë janë të pakënaqur me politikën e ndjekur nga qeveria e Karamanlisit, gjë që ka ndikuar edhe në humbjen e Demokracisë së Re në zgjedhje. Dokumenti sekret thekson se pothuajse gjysma e emigrantëve në Greqi vijnë nga Shqipëria.
Kthesa
Qeveria e re greke, e drejtuar nga PASOK-u, ka zhvendosur politikën e migrimit dhe azilimit në axhendën e saj në reformë kryesore, duke njoftuar masa të reja në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, lehtësimit të procedurave të natyralizimit për kërkesat e emigrantëve që kanë lindur në Greqi, sigurimin e statusit për emigrantët ekonomikë ilegalë dhe krijimin e një institucioni të ri të pavarur për çështjet e azilimit. Sapo erdhi në pushtet PASOK-u, në dy muajt e parë, u reflektua thellë nga zyrtarët dhe votuesit grekë në çështjet e emigrimit dhe implikimet sociale, ekonomike dhe ato të sigurisë për vendin. “Strategjia e re greke përfshiu jo vetëm politikën e reformave të brendshme, por edhe ‘europianizimin’ e çështjes së përmirësimit të emigrimit, duke vënë nën presion BE-në që të ofrojë më shumë mbështetje në sigurinë e kufijve, duke i kërkuar Greqisë që të ulë trafikun klandestin në Mesdhe dhe të pranojë të depërtuarit sipas marrëveshjes së Dublinit”, - thuhet në dokument. Sipas tij, me gjithë përmirësimet e bëra, Greqia ende përballet me sfida të mëdha në zbatimin e politikave efektive, gjithëpërfshirëse dhe efektive të emigrimit.
TRE DOKUMENTET NGA ATHINA
“Kthesa e Greqisë në çështjet e migrimit dhe azilimit”, datë 1 shkurt 2010
“Greqia risajon shërbimet e sigurisë dhe goditjet e emigrimit”, datë 1 shkurt 2010
“Greqia orientohet drejt mangësive në luftën kundër terrorizimit”, datë 29 janar 2010
12 Janar 2011