Atentetat ndaj gjyqtarit te Gjykates se Larte
Gjyqtari i Gjykatës së lart Ardian Nuni, ndodhet jashtë rrezikut për jetën pas nje ndërhyrje kirurgjikale në kokë dhe në shpatull, pohuan sot burime nga Spitali ushtarak në Tiranë ku ai ndodhet i shtruar pas plagosjes me armë zjarri një natë më parë nga persona ende të paidentifikuar. Nuni me detyrën e anëtarit të Gjykatës së Lartë nga viti 2007 gjatë ditës së sotme është vizituar nga krerë të lartë të shtetit si, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Jozefina Topalli, Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, Avokati i Popullit Ermir Dobjami, të cilët kanë shprehur dhe shqetësimin për sigurinë që duhet të kenë persona me aktivitet të lartë shtetëror.Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11.00 të mbrëmjes së djeshme, në rrugën "Medar Shtylla" në Tiranë, kur persona ende të paidentifikuar, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të 40 vjeçarit Ardian Nuni, i njohur për aktivitetin e tij në sistemin e drejtësisë shqiptare. Drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, po punojnë për zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë si dhe vënien para drejtësisë të autorëve të këtij atentati.
Ngjarja e plotë
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes afër Komunës së Parisit. Anëtari i Gjykates se Larte, Ardian Nuni, është qëlluar me armë zjarri duke zbritur nga makina pranë shtëpisë së tij. Adrian Nuni ishte kthyer nga një darkë me miqtë kur është qëlluar nga një person me tre plumba,dy prej të cilët kanë prekur gjyqtarin, një në krah dhe një në kofshë. Menjëherë Nuni është dërguar në spital Ushtarak ku mjekët thonë se është jashtë rrezikut për jetën. Një grup specialist të hetimit kanë shkuar në vendngjarje për të mbledhur provat si dhe janë marrë në pyetje 10-15 persona dëshmitarë okularë.
Kush është Ardian Nuni
Ardian Nuni është anëtar i Gjykatës së Lartë, ka lindur në Korçë më 01 janar 1969. Është diplomuar për drejtësi në Universitetin e Tiranës në vitin 1991. Në vitin 1997 ka marrë gradën shkencore "Doktor i Shkencave Juridike" dhe në vitin 2004 titullin "Profesor i Asociuar" . Z. Nuni është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Korçë në vitin 1991, ndërsa në vitet 1992-1993 ka punuar fillimisht si gjyqtar dhe pastaj zëvendëskryetar i Gjykatës së Rrethit Tiranë. Nga viti 1993 deri në vitin 2007 ka qenë pedagog i brendshëm në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, ku ka ushtruar funksionin e zëvendësdekanit të fakultetit (1993-1996 dhe 2003-2007) dhe funksionin e përgjegjësit të Departamentit të së Drejtës Civile (2002-2007). Z. Nuni ka kryer disa kualifikime pasuniversitare jashtë shtetit në fushën e së drejtës, ka qenë anëtar i senatit të Universitetit të Tiranës dhe i një vargu organizatash të tjera profesionale. Ai është autor dhe bashkautor i disa librave dhe monografive në fushën e të drejtës civile dhe ka dhënë mësim në programe universitare dhe pasuniversitare. Nga viti 1993 deri në vitin 2007 ka ushtruar profesionin e avokatit pranë Dhomës së Avokatisë Tiranë dhe nga viti 1998 e në vazhdim është pedagog i jashtëm i Shkollës së Magjistraturës. Me vendimin nr. 48, datë 13.07.2006 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë është emëruar anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, funksion nga i cili u largua me dorëheqje për shkak të emërimit si anëtar i Gjykatës së Lartë. Me dekretin nr. 5252, datë 04.04.2007 të Presidentit të Republikës është emëruar anëtar i Gjykatës së Lartë.
Reagim i Ministrit të drejtësisë
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, e ka konsideruar një ngjarje të rëndë dhe të shëmtuar atentatin me armë zjarri ndaj anëtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni, mbrëmë në Tiranë. Pas një vizite në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku u interesua për gjendjen shëndetësore të Ardian Nunit, ministri Alibeaj tha sot se “akte të tilla na shqetësojnë dhe janë goditje për sistemin e drejtësisë. Përgjegjësit duhet të dalin sa më shpejt para ligjit”, tha ministri i Drejtësisë. Ndërkohë, sulmi ndaj anëtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni, është dënuar dhe nga përfaqësues të lartë të shtetit, të cilët e kanë cilësuar ngjarjen si një akt kriminal tepër të rëndë. Ardian Nuni mbeti i plagosur mbrëmë në Tiranë, pas një sulmi me armë zjarri ndaj tij nga persona të panjohur për momentin. Aktualisht ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, orgenet e rendit po punojnë për zbardhjen e kësaj ngjarejeje të rëndë dhe kapjen e autorëve të saj.
...