Ann Margaret: "Nuk mund të punohet me një qeveri që nuk do..."
Shefja e zyrës së Fondit Monetar Ndërkombëtar në vendin tonë, Ann Margaret Westin flet për Faktori Plus
Si është realizuar buxheti i vitit 2008? A ka shanse te realizohen investimet me këtë buxhet?
Ajo që kemi parë deri tani në vitin 2008 është ajo që ka ndodhur edhe vitin e kaluar. Të ardhurat janë mbledhur mirë, por investimet janë të vonuara. Deri në fund të shtatorit shpenzimet për investimet, të financuara nga të huajt janë vetëm 32 për qind e planit vjetor. Me këtë ritëm është e nevojshme të bëhet një rishpërndarje të shpenzimeve të investimeve nga ato ministri që nuk kanë realizuar planet.
Kjo është një praktikë që është bërë dhe vitin e kaluar dhe dy vjet më parë, rialokimi i fondeve. A rrezikon kjo të ketë një problem me deficitin buxhetor?
Keni të drejtë që nuk ka një planifikim shumë të mirë, por ajo që ndodh është një nënshpenzim i shpenzimeve për
investime. Ndoshta kanë qenë optimistë kur kanë bërë planifikimin e shpenzimeve për investime dhe prandaj ne sugjerojmë një buxhet suplementar për të rishpërndarë fondet. Kjo sigurisht që nuk është perfekt, do të kishte qenë mirë që këto gjëra të ishin parashikuar që në fillim. Por është shumë më mirë që të arrihet niveli i deficitit duke bërë rishpërndarjen se sa të rrihet e të pritet sesa do të shkojë në fund deficiti.
Nëse ju keni informacion sa është deficiti, në raport me atë që ka qenë i identifikuar...
Ishte një mision për buxhetin në shtator të këtij viti dhe ata llogaritën që n.q.s do të ecet me këtë ritëm që po kryhen shpenzimet tani, deficiti në fund do të ishte katër për qind dhe jo 5.9 sa është parashikuar. Është e vështirë të parashikohet sepse të dhënat atëherë ishin deri në gusht, pasi në fund të vitit ka gjithnjë përshpejtim të buxhetit për investime dhe në mënyrë tipike kjo realizohet me anë të shpërndarjes së fondeve.
Thatë se keni diskutuar me qeverinë për buxhetin e vitit 2009. Cilat janë mendimet tuaja kryesore?
Gjëja më e rëndësishme që duhet marrë parasysh tani duke parë që ka një krizë globale, jo se Shqipëria është në krizë, por kriza globale duhet të kihet parasysh nga autoritetet kur të përgatisin buxhetin për vitin 2009. Buxheti i vitit të ardhshëm duhet të sinjalizojë maturi dhe nuk duhet të jetë një buxhet që rrjedh më tepër karburante në kërkesën agregate dhe kjo do të rriste në importe dhe në deficitin në bilancin e pagesave. Ajo që duhet të bëjë buxheti i 2009 është të përmirësojë shpenzimin për investime dhe kjo nuk është një sfidë për ministrinë e Financave, por për ministritë e linjës që duhet të jenë shumë të afta që të realizojnë investimet.
Cili do të ishte niveli më i mirë i parashikimeve për vitin 2009?
Ajo që thamë në shtator duke u bazuar në të dhënat që kishim deri në atë kohë dhe duke marrë parasysh krizën globale, dhe duke marrë parasysh deficitin e bilancit të pagesave dhe rritjen e kreditimit që vazhdon të jetë e lartë, thamë se do të ishte e matur të kishim një deficit 3.5 për qind të GDP-së, ndërsa autoritetet sugjeruan për një deficit prej 4.2. Sigurisht që do të ketë diskutime të mëtejshme dhe në misionin e ardhshëm të FMN në nëntor dhe besoj se do të arrijmë në një marrëveshje për këtë.
Përveç krizave bankare, ekziston një lloj recesioni në ekonominë botërore. Sa e rrezikuar është ekonomia shqiptare nga kjo lloj krize?
Çdo e keqe e ka dhe nga një të mirë. Dhe fakti që nuk është krejtësisht në tregjet botërore, do të thotë që është disi e mbrojtur nga kriza. Nëse do të ketë një recesion, pra një ngadalësim të ekonomisë në SHBA e Evropë, ndoshta do të ketë një ngadalësim të kërkesës për eksportet shqiptare. Ne nuk shikojmë që Shqipëria të jetë e rrezikuar nga një krizë financiare.
Ka një mospërputhje mes shifrave tuaja dhe ato të qeverisë për rritjen ekonomike...
Të dhënat më të fundit që kemi parë ne deri në qershor të këtij viti të çojnë se rritja ekonomike këtë vit duhet të jetë tek 6 përqindëshi. Për sa i përket mospërputhjes së shifrave, INSTAT është duke përgatitur të dhëna tre mujore për rritjen ekonomike. Ne jemi duke ofruar ende asistencën tonë teknike, pasi ato janë akoma seri eksperimentale dhe ka ende nevojë për të bërë punë të mëtejshme për sa i përket burimit të të dhënave përpara se ato të jenë gati për tu përdorur.
FMN përfundon programin në janar dhe kryeministri Berisha thotë se raportet e mëtejshme do të bazohen në artikullin numër katër. Si e prisni ju këtë?
Tani Shqipëria ka një program që duhet dhe është i gjashti që Shqipëria ka në të gjithë historinë e saj me FMN, i cili do të përfundojë në janar. Ne jemi të gatshëm të diskutojmë për lloj tjetër programi nëse autoritetet do të jenë të interesuar. Sidoqoftë Shqipëria do të ketë gjithnjë asistencë teknike nga FMN. Artikulli katër nuk është një program, por është një analizë që bëhet çdo vendi anëtar. Bëhet një raport dhe shikohen rreziqet që mund të ketë në rritjen ekonomike apo për stabilitetin dhe ka sigurisht një rekomandim se çfarë politikash duhet të ndiqen. Këshillat që jepen në bazë të artikullit katër nuk është se kanë detyrime.
Ka rrezik ta dëmtojë besueshmërinë për investitorët e huaj në Shqipëri kjo gjë?
Përse disa vende zgjedhin të kenë programe me FMN-në? Duan të kenë marrëdhënie të ngushta për këshillat ekonomike dhe për të sinjalizuar se ne po ndjekim politikat e duhura. Kjo është e rëndësishme kur në një vend statistikat nuk janë aq të mira sa të përmbushin standardet ndërkombëtare.
Arsyeja që ju thoni pse duhet të ketë një marrëveshje është e kundërt me atë që thotë qeveria se nëse tërhiqemi nga një marrëveshje direkt me FMN, rritet besueshmëria si një vend i stabilizuar...
Qeveritë shqiptare kanë pasur një rekord shumë të mirë të ruajtjes së stabilitetit makro- ekonomik. Ne jemi të bindur se duhet të dini t’ia komunikoni dhe pjesës tjetër të botës. Nëse mendoni se FMN-ja është e rreptë në monitorimin e qeverive, atëherë duhet të shikoni tregjet, te cilët janë shumë më të ashpër.
Mendoni se ne nuk kemi nevojë për këshillat tuaja?
Ju takon juve ta vendosni. Kështu ndodh në të gjitha vendet ku ne punojmë. I takon qeverisë bashkë me opozitën ta vendosin. I takon vetëm vetë vendeve të zgjedhin. Ajo që ne theksojmë është ajo, që këto vende duhet të ndjekin një rregull të qartë transparence fiskale për t’ia sinjalizuar investitorëve.
Opozita mund të ngulë këmbë që FMN të qëndrojë dhe qeveria të thotë jo. Mendoni se do të ndodheshit mes dy zjarreve?
Kjo nuk ka të bëjë fare me ne. Kjo është një çështje që i takon Shqipërisë dhe është normale që të ketë debat. Ne jemi dakord të punojmë me vendet anëtare, por nuk mund të punojmë me vendet që nuk duan të punojnë me ne. Nuk mund të punohet me një qeveri që nuk do, pasi nuk do të ishte e angazhuar të përmbushte pikat e projektit.