E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA miratoi huanë 302 milionë dollarëshe, ambasada amerikane: Mbështetje për përparimin e Forcave të Armatosura

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi sot ratifikimin nga Shqipëria të marrëveshjes së huas me SHBA-në me vlerë 302 milionë dollarë, në kuadër të programit Foreign Military Financing (FMF).

Sipas Ambasadës amerikane në Tiranë, financimi do të mbështesë përparimin e Shqipërisë drejt përmbushjes së Angazhimit të Hagës për Mbrojtjen, që parashikon rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2035.

DASH-i njoftoi se kredia do të ndihmojë për modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, përmes blerjes së kapaciteteve kryesore me origjinë nga Shtetet e Bashkuara, si dhe për forcimin e aftësive mbrojtëse të Evropës.

Marrëveshja me SHBA-të është dekretuar më 30 korrik nga Presidenti Bajram Begaj, i cili ka dhënë gjithashtu pëlqimin për hyrjen në fuqi menjëherë të këtij ligji.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›