Sezoni turistik, policia kontrolle me partnerët italianë për nivelin e zhurmave në Durrës

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Policia e Durrësit në bashkëpunim me policinë italiane, në kuadër të planit të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë sezonit turistik veror, vijuan patrullimet dhe kontrollet në terren, sipas hartëzimit të zonave me risk për ndotje akustike.
Policia njoftoi se, grupet e kontrollit kanë kryer matje të nivelit të zhurmës në ambiente të hapura dhe të mbyllura, në qytetin e Durrësit, në zonën e Golemit dhe atë të Plazhit.
Policia bëri me dije se matjet e realizuara, sipas procedurave standarde të përcaktuara për këtë qëllim, kanë rezultuar brenda kufijve të lejuar.
Njëkohësisht, janë zhvilluar takime sensibilizuese me pronarë dhe administratorë subjektesh, aktiviteti i të cilëve gjeneron zhurmë nga muzika, me fokus respektimin e legjislacionit në fuqi dhe të orarit të lejuar për zhvillimin e aktiviteteve muzikore.
Gjatë kontrolleve është verifikuar edhe zbatimi i orarit të lejuar për aktivitetet me muzikë në ambiente të hapura dhe në qendra të banuara, nga ora 11:00 deri në 24:00.
/m.q/j.p/r.e/