E Martë, 3 Nëntor 2026

Instituti i Shkencave në Londër vlerëson kontrollin bazë shëndetësor: Duhet të zgjerohet më tej

TIRANË, 6 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Instituti i Ekonomisë dhe Shkencave Politike në Londër ka vlerësuar kontrollin bazë shëndetësor dhe ligjin antiduhan në Shqipëri, si dy nisma mjaft pozitive të ndërmarra nga qeveria”.

Në një postim në rrjetet sociale, Kryeministri shprehet se statistikat tregojnë se falë tyre jetëgjatësia e shqiptarëve është rritur me 2.5 vite, duke ulur ndjeshëm rastet me sëmundje kardiovaskulare; hipertensionin dhe duhanpirjen.

Sipas Ramës, profesorët e demografisë nga shkolla londineze e ekonomisë ishin pjesë të Kongresit të I-rë Kombëtar të Shkencave të Shëndetit organizuar nga Universiteti i Mjekësisë në Tiranë, ku ata sugjeruan fort që CHECK UP-i duhet të vijojë të zgjerohet edhe më tej duke u integruar brenda sistemit primar, në mënyrë që qytetarët të përfitojnë edhe më shumë.

“Ne e kemi bërë publik qëndrimin tonë prej disa kohësh: CHECK UP-i do të zgjerohet edhe me kërkesë të më te moshuarve, por integrimi i tij në sistemin primar është shumë ide e mire”, pohoi Rama.

Profesor Arjan Gjonça nga Shkolla e Ekonomisë dhe Shkencave Politike në Londër u shpreh gjatë punimeve në Kongresin e Parë Ndërkombëtar të Shkencave të Shëndetit që u zhvillua në Tiranë se ajo që shihet është fakti se të dy nismat dhe ajo e check up-it dhe nisma antiduhan kanë pasur një efekt jashtëzakonisht të madh.

“Kjo ka ulur shumë sëmundjet kardiovaskulare, veçanërisht ato të fokusuara te hipertensioni dhe një tjetër faktor risku që është monitoruar është edhe duhanpirja. Ajo që ne sot kuantifikuam është që mbi dy vite e gjysmë jete janë shtuar për shqiptarët dhe kjo ka ardhur si rezultat e i këtyre faktorëve dhe politikës së Check Up-it. Kjo është arritje”, tha ai.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›