Integrimi, Arvizu: Duhet unitet nga palët për reformat

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kështu është shprehur ambasadori i SHBA-së në Tiranë Aleksandër Arvizu në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e jashtëm Edmond Haxhinasto.
Duke e cilësuar procesin e integrimit si një hap tepër të rëndësishëm për vendin tonë, ambasadori Arvizu theksoi se është e nevojshme për unitet mes faktorëve politikë në mënyrë që të plotësohet të 12 rekomandimeve të Komisionit Europian.
Nga ana e tij ministri i jashtëm Haxhinasto ka deklaruar se se klasa politike duhet të angazhohet për një pakt kombëtar për integrimin. Duke e cilësuar integrimin e vendit si një prioritet kombëtar, Haxhinasto theksoi se zbatimi i rekomandimeve të Bashkimit Europian duhet të jetë prioritet i politikës shqiptare.
Gjithashtu ministri Haxhinasto u shpreh se Shqipëria ka mbështetjen e plotë të vendeve europiane, por edhe të SHBA-ve, për integrimin.
Ndërkohë pak ditë më parë ambasadori Arvizu tha se Shqipëria e ka të domosdoshme reformën në Kodin Zgjedhor pasi sipas raportit të fundit të OSBE-ODIHR, ka shumë boshllëqe që duhen mbushur.