Integrimi, Hoktlemper: Të përmbushen rekomandimet

Ambasadorja gjermane Carola Holtkemper ka deklaruar se Shqipëria duhet të bëjë përpjekje për tu përmbushur 12 kriteret e kërkuara nga Bashkimi Europian. Nga qyteti i Gjirokastrës, ambasadorja Holkemper theksoi se dy kriteret që sipas saj duhet të plotësohen janë edhe reforma zgjedhore dhe ajo parlamentare.
“Janë ende për t`u përmbushur 12 kriteret e BE-së. Si çështje të ndjeshme janë reforma zgjedhore dhe procedurat e përmirësimit të rregullores në Parlament. Ka afate të përcaktuara dhe përgjegjësi të qarta për realizimin e tyre. Kam parasysh këtu zbatimin e planit të veprimit të hartuar nga vetë klasa politike shqiptare” theksoi ambasadorja.
Sipas saj një tjetër çështje e rëndësishme është edhe zbatimi i ligjit që ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ndërkohë ambasadorja Holtkemper i është referuar edhe çështjes së zgjedhjes së kreut të ri të shtetit duke thënë se zgjedhja e presidentit duhet të bazohet në kushtetutë dhe të përfaqësojë bashkimin e njerëzve.
E pyetur në lidhje me linjën e interkonjeksionit, Holtkemper theksoi se s`mund të flitet për konflikt me qeverinë shqiptare. “Nuk mund të flasim për një konflikt mes qeverosë shqiptare dhe bankës gjermane por ka disa çështje të mbështetur te kontrata mes të dyja palëve që duhet të rivlerësohen” shtoi ambasadorja gjermane.