Turk-Topalli:Shqipëria, me zhvillim ekonomik pozitiv

Gjatë qëndrimit në Slloveni kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka zhvilluar takime me krerët më të lartë të shtetit atje. Gjatë kësaj vizite zonja Topalli u prit në takim nga presidenti slloven Danilo Turk. Gjatë bashkëbisedimit palët kanë vlerësuar raportet shumë të mira politike midis dy vendeve të shprehura përmes shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë dhe bashkëpunimit midis dy parlamenteve duke theksuar njëkohësisht krijimin e hapësirave për një bashkëpunim të fortë ekonomik. Nga ana e tij presidentin slloven vlerësoi zhvillimet pozitive që vendi ka shënuar kohët e fundit në procesin e integrimit por edhe në atë ekonomik duke e cilësuar Shqipërinë si një kandidat kredibël në Bashkimin Evropian.Nga ana tjetër zonja Topalli siguroi se Shqipëria është e vendosur të punojë fortë për të përmbushur aspiratën evropiane të shqiptarëve. Po ashtu zonja Topalli zhvilloi një takim me Kryeministrin e Sllovenisë, Janez Jansa.
Kryeministri Jansa i shprehu Kryetares Jozefina Topalli vlerësimet për progresin e gjithanshëm të Shqipërisë në hapat drejt BE, progresin dhe rritjen ekonomike në kohë të vështira të krizës financiare, rolin e vendin në NATO si dhe politikat e saj konstruktive në rajon. Duke vlerësuar se Shqipëria është ndër të paktat vende në botë që shënoi progres ekonomik duke sfiduar vështirësitë e krizës financiare, Kryeministri Jansa cilësoi si të rëndësishëm ngritjen e urave për bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve. Ndërkaq kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u prit në një takim nga Ministri i Jashtëm slloven, Karl Erjavec, i cili bëri të ditur se në krye të axhendës së diplomacisë së Sllovenisë është zgjerimi i Ballkanit Perëndimor.