E Diel, 1 Nëntor 2026

Integrimi, Shqipëria e tërheq në tetor pyetësorin

Kryeministri Berisha dhe 15 anëtarët e qeverisë së tij janë njohur dje me udhërrëfyesin për përgatitjen e përgjigjeve të pyetësorit të Komisionit Europian. Qëllimi i këtij pyetësori është vlerësimi i gatishmërisë së vendit për të ecur drejt fazave të tjera që kanë të bëjnë me marrëdhëniet me BE-në. Në muajin tetor, Shqipëria pritet të tërheqë pyetësorin, i cili tregon rrugën e reformave që duhet të ndjekë për t‘u bërë anëtar i Bashkimit Europian. Kryeministri Berisha, gjatë mbledhjes nënvizoi se integrimi europian i vendit është një objektiv madhor dhe se procesi i përgatitjes së pyetësorit të Komisionit Europian të jetë në krye të axhendës së qeverisë dhe kërkoi një angazhim maksimal nga ministritë dhe të gjitha hallkat që do të merren me këtë proces mjaft të rëndësishëm. Kështu, gjatë mbledhjes u diskutua mbi fazat e këtij procesi, duke u ndalur veçanërisht në krijimin e strukturave menaxhuese dhe koordinuese në nivel të qeverisjes qendrore, krijimi i grupeve të punës dhe ekipeve brenda institucioneve të përfshira në proces, si edhe u vu theksi në rëndësinë e krijimit dhe organizimit të një grupi ekspertësh të pavarur, të përzgjedhur me kujdes dhe të trajnuar që do të mbikëqyrin procesin. Kryeministri informoi se qeveria do të marrë së shpejti pyetësorin europian, i cili përbën dokumentin kryesor mbi bazën e të cilit do të vlerësohet performanca e administratës dhe e qeverisë. Fillimisht, Kryeministri e inicioi bërjen publike të udhërrëfyesit me anëtarët e Këshillit të Ministrave dhe këta të fundit më pas do të do të ngarkojnë personat përgjegjës më pas në dikasteret e tyre për t‘i njohur me plotësimin e pyetësorit që do ta ndihmojë Shqipërinë të bëhet anëtare e Bashkimit Europian.

Kryeministri Berisha e konsideroi administratën publike shtyllën kryesore në realizimin e reformave, roli i së cilës në procesin e integrimit europian bëhet gjithnjë e më i madh. Për këtë, Këshilli i Ministrave miratoi dje edhe strategjinë e re për administratën publike për katër vitet në vijim. "Procesi i integrimit në Bashkimin Europian është një univers i vërtetë reformash, ligjesh, vendimesh, të cilat përpilohen dhe zbatohen nga administrata publike", tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›