Berluskoni: Probleme me Shqipërinë? Nuk e di
Silvio Berluskoni, një nga kryeministrat europianë të cilin Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, e konsideron si një ndër miqtë e tij më të mirë, duke i huazuar ndonjëherë dhe batutat problematike, duket se nuk është i informuar mirë mbi hapat e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe as mbi vështirësitë që po has vendi për shqyrtimin e aplikimit për statusin kandidat. Në përfundim të samitit të jashtëzakonshëm të krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së, që u zhvillua në Bruksel, i pyetur nga "Top Channel" se çfarë po e bllokon diskutimin teknik mbi kërkesën e Shqipërisë, Silvio Berluskoni përgjigjet fillimisht se nuk është në dijeni. Ndërsa pas pyetjes nëse është në dijeni që Gjermania përflitet si vendi kryesor që ka bllokuar për momentin shqyrtimin teknik, një nga këshilltarët i sugjeron Kryeministrit italian të dalë nga situata, duke i pëshpëritur në vesh fjalët "po punojmë"... "Ne po punojmë që integrimi i Shqipërisë të vijë dhe sa më shpejt të jetë e mundur", u shpreh Berluskoni. Italia është realisht një prej mbështetësve kryesorë të Shqipërisë në rrugën drejt integrimit europian. Në këshillin e fundit të ministrave të Jashtëm të presidencës suedeze, përpara pushimeve të verës, në kohën kur Islanda aplikoi për anëtarësim dhe kërkesa e saj u pranua brenda 3 ditësh, ministri i Jashtëm italian, Franko Frattini, pati deklaruar me keqardhje se nuk është e ndershme që kërkesa e Shqipërisë nuk po shqyrtohet prej një kohe të gjatë, duke u kalbur në sirtarët e Brukselit. Aplikimi i Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për anëtar në Bashkimin Europian u dorëzua më 28 prill në Çeki, vendi që mbante presidencën e radhës së familjes europiane. Në momentin kur dokumenti u dorëzua, zyrtarët perëndimorë deklaruan se do të shqyrtohej pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Por teksa zgjedhjet kanë kaluar, ende nuk dihet saktësisht se çfarë do të ndodhë me aplikimin e Shqipërisë. Zyrtarët e lartë suedezë, vend që mban tanimë presidencën e BE-së, thonë se një veprim i tillë do të kryhet brenda muajit tetor të këtij viti.